COVID-19KosovaSot:8Të gjitha:161,147|Bota 266,940,196
Prishtina 3 °C
Intervista
Marrëdhënia Kosovë-Serbi është kyçe për rajonin e Ballkanit
Demokracia
12:09 | 09 Nëntor 2021

Share:

Share:

Share

Tweet

Mitrovica e zhytur në borxhe, s’mund as t... Borxhet që la qeverisja e kaluar po e pamundësojnë dekorimin e qytetit të Mitrovicës për festa...

Ish-Sekretari Përgjithshëm në detyrë i NATO-s Alessandro Minuto-Rizzo thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një prioritet i madh, ndërsa e sheh të rëndësishme përfshirjen më të madhe të institucioneve euroatlantike dhe vendet mike në këtë proces, në mënyrë që të ndikojnë që palët të arrijnë kompromise të mira në interes të të gjithëve.

Në një intervistë ekskluzive për KosovaPress, Ambasadori Minuto- Rizzo thotë se: “pikat e nisjes duhet të jenë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës (v.j nga Serbia) dhe – në anën tjetër – njohja e pakicave serbe (v.j. nga Kosova). Ai mendon se nëse dy akterët kryesorë (v.j Kosova dhe Serbia) qëndrojnë vetëm në mosmarrëveshjet e tyre, një përparim serioz I rajonit mbetet i vështirë.

Ambasadori Minuto Rizzo që tani e udhëheq Institucionin prestigjioz Fondacioni i Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s, fletë edhe për rendësinë e stabilitetit dhe progresit në reforma që duhet të demonstrojnë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të përshpejtohet procesi I rrugëtimit në strukturat Euroatlantike. Ai gjithashtu thekson nevojën se Kosova dhe Serbia duhet të jenë në gjendje të modifikojnë pozicionet e vendosura, nëse vërtet dëshirojnë të sigurojnë një lojë përfundimtare pozitive.

KosovaPress: Javëve të fundit në veri të Kosovës pati tensione. Lidershipi në Prishtinë dhe ai në Beograd sikur i dërgonin mesazhe kërcënuese njëri-tjetrit, ndërsa situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së Perëndimit. Duke i marrë parasysh këto zhvillime, a ka lëkundje të sigurisë në Ballkan?

Ambasador Minuto-Rizzo: Duhet të kemi parasysh se marrëdhënia Kosovë-Serbi është kyçe për rajonin e Ballkanit, dhe është ndoshta çelësi i zhvillimeve të mëdha të ardhshme në rajon. Është gjithashtu pjesë e procesit të përfshirjes në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Ngjarjet e fundit nuk janë inkurajuese, sepse ato nuk tregojnë përparim dhe janë një sinjal i fortë se marrëdhënia ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është larg të qenit normale.

Nga ana tjetër, arritja e këtij normaliteti është prioritet. Mendoj se është e rëndësishme që institucionet euroatlantike dhe vendet mike të përfshihen më shumë në këtë proces, në mënyrë që të ndikojnë që palët të arrijnë kompromise të mira në interes të të gjithëve. Pikat e nisjes duhet të jenë njohja e plotë e pavarësisë së Kosovës dhe – në anën tjetër – njohja e pakicave serbe; ata duhet të konsiderohen qytetarë të plotë, me mbrojtje të plotë. Nëse dy akterët kryesorë qëndrojnë vetëm në mosmarrëveshjet e tyre, një përparim serioz mbetet i vështirë.

KosovaPress: NATO ka pranuar anëtarë të rinj vitet e fundit – Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut. Por pas ardhjes në pushtet të forcave tjera politike në Mal të zi, duket se perëndimit ka rezerva që të bashkëpunoj thellësisht me Malin e zi sidomos në çështje të ndjeshme të sigurisë. Sa është shqetësuese për NATO-në ky fakt?

Ambasador Minuto-Rizzo: Nuk na takon ne të ndërhyjmë në punët e brendshme të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Këto dy vende janë anëtarësuar në NATO në data të ndryshme pas një procesi të hapur pranimi. Ato janë në një rrugë demokratike dhe përballen me sfida të ndryshme që ne të gjithë shpresojmë se do t’i kapërcejnë. Unë besoj se kur lindin probleme serioze, NATO mbetet e gatshme të ndihmojë aleatët për t’i zgjidhur ato në një frymë solidariteti.

KosovaPress: Samiti i fundit i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor i mbajtur në Slloveni përfundoi me deklarata inkurajuese të liderëve evropianë për perspektivën integruese të Ballkanit Perëndimor, por nuk është caktuar një afat kohor se kur mund të anëtarësohen shtetet e BP6. A mendoni se mungesa e progresit të konsiderueshëm të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit, ndikon në sigurinë rajonale?

Ambasador Minuto-Rizzo: Samiti në Slloveni është një demonstrim se ekziston një interes i përtërirë i komunitetit ndërkombëtar dhe i BE-së ndaj rajonit të Ballkanit, me fokus në BP6. Është e qartë se destinacioni përfundimtar është integrimi. Nga ana tjetër, është e pamohueshme që ky proces nuk është i lehtë për shumë arsye të njohura tashmë. Mendoj se është normale që nuk janë caktuar data të sakta. Arsyeja është se do të bëhej detyrim respektimi i tyre. Procesi i anëtarësimit të çdo vendi do të bazohet në merita specifike, sipas situatave specifike dhe nuk mund të përcaktohet paraprakisht. Që do të thotë se mbetet e vërtetë se Bashkimi Evropian, si dhe NATO, e konsiderojnë sigurinë rajonale të një rëndësie të veçantë. Në fakt, janë duke u zhvilluar nisma të ndryshme nga të dyja organizatat për të garantuar sigurinë rajonale në një kuptim të gjerë.

KosovaPress Si do ta vlerësonit rolin e Italisë në proceset integruese për Ballkanin Perëndimor? Përshtypja është se është diku në mes-jo në grupin e shteteve skeptike të zgjerimit siç është Franca, Holanda dhe të tjerat, por gjithashtu jo ndër mbështetësit si p.sh. Gjermania?

Ambasador Minuto-Rizzo: Italia ka një interes historik ndaj rajonit. Ajo drejtohet nga gjeografia, historia, kultura, ekonomia, nga shkëmbimet intensive. Ky vend ka qenë thellësisht i përfshirë, që nga shpërbërja e Jugosllavisë, me synimin për të zgjeruar stabilitetin dhe për të shtuar bashkëpunimin rajonal paqësor. Kjo ka ndodhur në sytë e të gjithëve. Italia vazhdon të mbështesë komunitetin ndërkombëtar me një vlerë të shtuar konkrete. Ajo ka një marrëdhënie historike me Serbinë; në të njëjtën kohë, ajo ka një prezencë të fortë në Kosovë qe një kohë të gjatë, dhe ka udhëhequr KFOR-in më shumë se çdo shtet tjetër. Jam i sigurt ky vend nuk është i vetmi në përkrahjen e përfshirjes së BP6 në BE dhe NATO. Natyrisht, ky nuk është një proces që kryhet verbërisht dhe Italia po punon së bashku me vendet e të njëjtit mendim drejt këtij qëllimi si në Bruksel ashtu edhe në rajon.

KosovaPress: Shumë analistë po komentonin se ndryshimi i administratës në Uashington do të përshpejtonte ritmin e zgjidhjes së çështjeve më të rëndësishme rajonale, kryesisht mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi dhe stabilitetin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Sidoqoftë, ne ende po shohim shumë probleme në këto fusha. A janë aktualisht BE dhe SHBA të koordinuara sa duhet për t’i çuar gjërat përpara?

Ambasador Minuto-Rizzo: Analistët që kanë një vlerësim pozitiv për ndryshimin e administratës në Uashington sigurisht që kanë të drejtë. Është një zhvillim i mirë me një ndryshim të dukshëm në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.

Ne shohim një interes të ripërtërirë ndaj rajonit, për të projektuar stabilitet, për të lehtësuar përfshirjen dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura. Në këtë kuptim, është e saktë të thuhet se Shtetet e Bashkuara janë aleate me BE-në, pasi të dyja po ndjekin të njëjtin drejtim. Nga ana tjetër, mbetet gjithashtu e qartë se problemet e vjetra nuk mund të zgjidhen me një shkop magjik.

Është detyrë e vendeve të rajonit që të marrin përgjegjësitë e tyre për të luajtur një rol pozitiv për të zbutur tensionet dhe për të punuar seriozisht drejt bashkëpunimit rajonal. Nëse akterët lokalë nuk janë të gatshëm të tregojnë më shumë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromise të mira, do të jetë e vështirë për lojtarët e jashtëm të kenë një ndikim real.

KosovaPress: Dua të të bëjë pyetjen e fundit, në lidhje me emërimin për ambasador të USA-së në Serbi të z.Hill. Ambasadori Hill konsiderohet si një buldozeri i çuarjes përpara të politikave perëndimore në Ballkan. A mund të pritet që z Hill të dinamizojë procesin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të kemi një epilog?

Ambassador Minuto – Rizzo: Emërimi i ambasadorit Hill është i mirëpritur pasi ky diplomat i shquar ka një reputacion për avancimin e politikave perëndimore në rajon. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se ai do të përdorë aftësitë e tij në dobi të sigurisë dhe përfshirjes. Sa i përket çështjes specifike të negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e pamundur të parashikohet rezultati i tyre i ardhshëm. Mbështetje do të ketë, por përsëri dëshiroj të theksoj se akterët lokalë duhet të vazhdojnë në procesin e tyre të reformave dhe gjithashtu duhet të jenë në gjendje të modifikojnë pozicionet e vendosura, nëse vërtet dëshirojnë të sigurojnë një lojë përfundimtare pozitive, për një perspektivë afatgjate dhe të dobishme për të gjithë.

/Alessandro Minuto-Rizzo është një diplomat italian i cili shërbeu si Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s nga viti 2001 deri në 2007 dhe si ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nga 17 dhjetori 2003 deri më 1 janar 2004, në mes të mandateve të George Robertson dhe Jaap de Hoop Scheffer. Aktualisht është President i Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s/

Të gjitha