Lajme
Marko Gjuriq me akuza gati si të Gjykatës Speciale: Po kryhet spastrim etnik ndaj serbëve në Kosovë
Demokracia
15:16 | 05 Janar 2024

Share:

Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në ShBA, së fundmi ka dhënë një intervistë për gazetën serbe “Politiko”, gazetë që dikur i kishte shërbyer agjendës së Sllobodan Millosheviqit.

Deklarata e Gjuriqit është pothuajse në një linjë me deklaratën e Dhomave të Specializuara në Hagë, përveç kontekstit kohor që ndryshon, shkruan Demokracia.com.

Marko Gjuriq pretendon se shteti i Kosovës është duke bërë spastrim etnik ndaj serbëve, ndërsa Gjykata Speciale pretendon se UÇK kishte bërë spastrim etnik ndaj serbëve në vitin 1999.

Vit pas viti dhe ajo që është veçanërisht shqetësuese tani, muaj pas muaji dhe javë pas jave, Kurti kryen një fushatë të synuar të spastrimit etnik të serbëve nga territori i Kosovës dhe Metohisë, represionit të përgjithshëm, dhunës, frikësimit dhe eliminimit të faktorit serb nga jeta politike në Kosovë”, deklaroi Gjuriq në gazetën serbe Politika.

Ndërsa, në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale, respektivisht në aktakuzën e Prokurorisë Speciale, shihet se qëndrimi i shtetit serb dhe Prokurorisë Speciale është pothuajse i njëjtë sa i përket përndjekjes së popullatës civile serbe.

Në verën e vitit 1999, sulmet ndaj civilëve serbë, që rezultuan me 50 vdekje në javë fillimisht, nuk ishin thjesht hakmarrje, por një përpjekje e qëllimshme për të ndikuar në demografinë dhe negociatat e ardhshme për statusin e Kosovës. Po ndodhnin vrasje dhe rrëmbime të profilit të lartë të serbëve të Kosovës, si dhe dëbime të detyruara, plaçkitje dhe zjarrvënie. Autorët vepronin në mënyrë të organizuar, me një formë hierarkie, komandimi dhe kontrolli, dhe kishte indikacione të qarta se shumë prej autorëve ishin anëtarë të UÇK-së“, thuhet në pretendimet e Prokurorisë Speciale, ku paraprakisht nënvizohet fakti se UÇK ushtroi fushatë sistematike kundër popullsisë civile.

Këtë pretendim e kishte rrëzuar raporti i CIA-s i janarit të vitit 2000.

Një nga dokumentet që ishte mbajtur fshehur nga gjykata ishte edhe një raport i CIA-s amerikane, i janarit të vitit 2000, në të cilin thuhej se UÇK-ja nuk kishte kryer akte terroriste kundër caqeve civile.

Në një pjesë të raportit katërfaqësh thuhet se “udhëheqja e UÇK-së nuk duket të jetë përfshirë në operacione të drogës për të mbështetur aktivitetet e saj gjatë luftës…”

Gjithashtu, në një pjesë tjetër, pohohet në raportin e CIA-s se “UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në aktivitete terroriste – të përcaktuara si dhunë e paramenduar, e motivuar politikisht, e ushtruar kundër caqeve civile”. /Demokracia.com/

Të ngjashme