Lajme
Maqedonci: Jemi të rrezikuar nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë
Demokracia
13:15 | 02 Janar 2024

Share:

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendi është në rrezik nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, pasi kjo e fundit po mbështet grupet e armatosura paramilitare, derisa ka theksuar se Bashkimi Evropian po heziton të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit në Banjë të Zveçanit.

“Ende Bashkimi Evropian heziton që të veprojë. Mund të jetë edhe aspekti i vlerësimit të tyre për ta mbajtur Serbinë brenda domenit të ndikimit të Bashkimit Evropian, apo largimit prej ndikimit rus, që vlerësoj që nuk është forma e duhur për të bindur një vend për t’u larguar prej ndikimit rus duke e mbështetur. Për shkak që vlerësojmë që Serbia shfrytëzon mundësinë që të qëndrojë në dy karrige me qëllim të shtyrjes përpara të interesave të saj”, tha Maqedonci në një intervistë për Kosovapress.

“Me të vërtetë është e domosdoshme që Serbia, institucionet qeveritare në Serbi të marrin përgjigjen e merituar për mbështetjen që i kanë bërë sulmit në Banjë”, thekson ai.

Teksa flet për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ai potencon se sulmi ka qenë i mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë dhe qëllimi ka qenë për shkëputjen e asaj pjese të territorit të Kosovës, derisa vlerëson se ende ka rrezik e kërcënim për përsëritje të këtij rasti.

“Vlerësojmë që rreziku vazhdon të mbetet prezent përderisa mbetet prezente qasja hegjemoniste e Serbisë në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me fqinjët tjerë. Pra, është qasja hegjemoniste që njëfarë forme drejton gjitha këto aktivitete që pastaj rrezikojnë sigurinë edhe stabilitetin në rajon”.

“Serbia ka dislokuar në jug të territorit të saj tri nga katër brigadat ushtarake, me qëllim që të mbajë nën presion Republikën e Kosovës dhe duke i shtuar kësaj edhe 48 bazat e përparme operacionale i ka vendosur përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Me të vërtetë e gjithë kjo gjendje na jep të dimë që ka rrezik dhe gjithmonë vendi ynë është nën kërcënim”.

Megjithatë, Maqedonci zotohet se kanë marrë të gjitha masat që vendi të jetë i gatshëm të përballet me këto kërcënime, në koordinim me KFOR-in dhe partnerët tjerë.

Të ngjashme