Lajme
MAPL: Së shpejti do të nis mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve në veri
Demokracia
19:27 | 24 Dhjetor 2023

Share:

Pranverën e vitit të ardhshëm pritet të ketë zgjedhje në katër komunat veriore të vendit. Në bazë të rrjedhjes së afateve të përcaktuara në udhëzimin administrativ e nismën e qytetarëve serbë për shkarkimin e tre prej katër kryetarëve në veri, në MAPL kanë thënë se afati për një proces të tillë do të nisë së shpejti.

E diela e tretë e muajit prill është koha më e largët kur në komunat me shumicë serbe do të mbahet procesi për largimin e kryetarëve.

108 ditë është afati më së shumti sa mundet të zgjasë i gjithë procesi deri në ditën kur qytetarët të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët apo jo.

Sipas zv.ministrit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ky proces do të nisë së shpejti.

“Grupi e ka marrë përgjigjen nga kryesuesi dhe së shpejti fillon të rrjedhë afati prej 30 ditësh kur duhet të kompletohet mbledhja e 20 për qind e nënshkrimeve. Kur them së shpejti, do të thotë se dokumentacioni që vendosin nënshkrimet ta marrin nga institucionet qendrore dhe prej atij momenti llogaritet koha”, ka thënë Vokrri.

Iniciativa për shkarkimin e kryetarëve ka nisur vetëm në tri prej katër komunave në veri.

Sipas Vokrrit, deri më tani nuk ka ndonjë lëvizje për nisje të shkarkimit të kryetarit të Zveçanit.

Sipas të dhënave nga KQZ-ja, për të qenë i suksesshëm procesi, në Leposaviq duhet të mblidhen 2 mijë e 689 nënshkrime, në Mitrovicë të Veriut 3 mijë e 640 derisa në Zubin-Potok 1 mijë e 347 sosh.

Pas pranimit të nënshkrimeve, kryesuesit e kuvendeve komunale duhet që brenda tri ditë ato t`i dërgojë në KQZ për verifikim.

Kohë të caktuar për verifikimin e nënshkrimeve nuk kanë në KQZ, por ky institucion në rast se nuk është arritur numri i përcaktuar i nënshkrimeve mund t`i japin edhe 10 ditë kohë grupit nismëtar për mbledhjen e tyre.

Nga konstatimi që është arritur numri i nevojshëm i nënshkrimeve, KQZ-ja brenda 45 ditëve duhet të organizojë procesin zgjedhor ku qytetarët mund të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarin e komunës përkatëse apo jo.

Edhe nëse zgjidhen kryetarët e rinj, zv.ministri Vokrri tregon për vështirësitë që do t’i përcjellin ata.

“Nuk besoj që do të rregullohet situata me aq ngase kryetarët e rinj momentalisht nëse zgjidhen do të duhet të punojnë me kuvendet aktuale pra me formacionet aktuale të asamblistëve dhe siç mund ta dini që asamblistët aktuale nuk janë të Listës Serbe, në fakt janë në pozicione të kundërta me Listën Serbe kështu mund të krijohet një polarizim dhe mbase një paralizë e komunave në rast se ndodhë ndërrimi i kryetarëve”, ka shtuar Vokrri.

Katër komunat në veri të Kosovës për herë të parë janë duke u qeverisur nga kryetarë joserbë.

Zgjedhja e tyre është përcjellë me tensione të shumta në atë pjesë, derisa pas dakordimit me BE-në, institucionet e Kosovës kanë hartuar legjislacionin e nevojshëm që hap rrugë për shkarkimin e kryetarëve të komunave, jo vetëm në veri.

Të ngjashme