Lajme
Macron zbulon detajet që Kurti po i mban fshehur | Zgjedhjet në veri i paraprijnë themelimit të Zajednicës
Demokracia
08:16 | 21 Shkurt 2024

Share:

“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për zbatimin e të gjitha dispozitave të marrëveshjes Bruksel-Ohër, duke përfshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe, e cila në veçanti përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja lokale me pjesëmarrjen e serbëve”.

Kjo është veç një pjesë e mesazhit që përmban letra e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, të cilën ia dërgoi Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e 16-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Lexo më shumë:

Paralajmërimi i Macron për marrëveshjet me Serbinë dhe Asociacionin: Javët e ardhshme vendimtare, shpresoj Kosova t’i marrë vendimet

Ky mesazh i të parit të Francës përmban edhe një zbulim të radhës që bëhet nga të tjerët dhe që ndërlidhet drejtpërdrejtë me zhvillimet për Republikën e Kosovës, por që vazhdojnë të mbahen fshehur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas deklaratës së Presidentit të Francës, mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës nuk duhet të shikohet ndaras nga zhvillimet e tjera për themelimin e Zajednicës apo Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ndonëse zgjedhjet nuk përmenden askund në Marrëveshjen Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe as në Aneksin e zbatimit të saj [Ohër, 18 mars 2023], ato bëhen kërkesë që do t’i paraprijnë themelimit të Zajednicës apo Asociacionit.

123 DITË FSHEHJE E STATUTIT TË ZAJEDNICËS

Më 21 tetor 2023, Kurti ka pranuar draftstatutin, të cilin ia kanë dorëzuar 5 emisarët që përfaqësojnë ShBA-në, BE-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, si dhe më 26 tetor 2023 ka shprehur gatishmëri para liderëve evropianë (Scholz, Macron, Meloni, Michel, Borrell) që të njëjtin ta nënshkruajë.

Që nga ajo kohë, janë bërë plot 4 muaj apo 123 ditë dhe kryeministri Kurti vazhdon të mbajë të fshehur draftstatutin.

Për më tepër, BE ka zbuluar edhe papërgjegjshmërinë e kryeministrit Kurti, që sipas BE-së, pas 26 tetorit nuk ka kërkuar diskutime shtesë për Asociacionin dhe as nuk ka çuar komente në Bruksel.

Lexo më shumë:

BE zbulon papërgjegjshmërinë e Kurtit: Pas 26 tetorit, ai s’ka kërkuar diskutime shtesë për Asociacionin dhe s’ka çuar komente në Bruksel

Por, sipas zbulimeve nga emisari evropian, Miroslav Lajçak, statuti i Zajednicës, i pranuar nga Kurti, përmban edhe krijimin e një institucioni të veçantë, jashtë kuadrit të institcioneve kushtetuese dhe ligjore aktuale në Republikën e Kosovës.

“Pa këtë dispozitë do të kishte një hendek ligjor, sepse korniza ligjore e Kosovës as nuk përmban një mekanizëm për zgjidhjen e kontesteve për këtë lloj kontesti dhe as nuk e parasheh juridiksionin e gjykatave të Kosovës në raste të tilla”, ka thënë Lajçak më 21 dhjetor 2023.

Në këtë Statut tashmë gjendet edhe një institucion krejtësisht në shërbim të Zajednicës, i cili nuk ka ekzistuar kurrë dhe as që është përmendur në marrëveshjen e vitit 2013 dhe 2015.

Institucioni i Arbitrazhit, që do të shërbejë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Autoriteteve Qendrore dhe Zajednicës lidhur me zbatimin ose interpretimin e Statutit që e themelon Zajednicën, është një krijesë e re si rezultat i dialogut të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Një institucion i tillë nuk parashihet askund në shumësinë e institucioneve të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, ai do të funksionojë jashtë rendit kushtetues dhe ligjor të shtetit të Kosovës. /Demokracia.com/

Lexo më shumë:

Arbitrazhi | Kurti shkelë Kushtetutën me draft-statutin e pranuar, i jep fuqi ekskluzive Zajednicës të zgjidh çështje jashtë institucioneve të drejtësisë

Të ngjashme