Diaspora
LVV-ja sërish përplasje për votat e diasporës, 494 vendvotime kërkohet të shkojnë në rinumërim
Demokracia
14:03 | 22 Shkurt 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është duke mbajtur mbledhjen e radhës në lidhje me ecurinë e procesit të numërimit të votave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është duke mbajtur mbledhjen e radhës, ku po diskutohet puna e Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, më konkretisht numërimi i votave dhe e gjithë procedura.

Kryesuesi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka bërë të ditur se janë 494 vendvotime për të cilat duhet të merret vendim që të rinumërohen për shkak të parregullsive që janë raportuar dhe janë gjetur gjatë auditimit.

Ahmetaj ka treguar në detaje se cilat kanë qenë arsyet që kanë ardhur deri të ky problem për rinumërimin e këtyre vendvotimeve, raporton Demokracia.com.

“Deri më tani nga 19 168 pako të vlerësuara, pra më se 44 për qind e pakove janë vlerësuar dhe janë të aprovuara 22 mijë e 326 zarfe, të refuzuara janë pjesa tjetër. Pra gjithsej të procesuara janë 31 mijë e 375 zarfe nga 19 mijë e 168 pako, apo 44 për qind pakove të procesurara deri më tani. Ndërsa sa i përket formularëve të zgjedhjeve, QNR pothuajse i ka procesuar të gjithë formularët dhe të gjithë ata formularë që nuk kanë pasur probleme teknike të gjithë janë procesuar në rregull përpos një numër i vendvotimeve, konkretisht formularët e rezultateve të kandidatëve të cilët nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta dhe kanë dështuar të kalojnë autiditimin për arsye të ndryshme. Një numër i madh i formularëve të rezultateve të kandidatëve sepse shumë pak kemi të formularëve të subjekteve, mirëpo problemi më i madh është i formularëve të kandidatëve pra të rezultateve të kandidatëve dhe nuk kanë mundur të procesohen për shkak të mospërputhjes se votave të subjekteve dhe kandidatëve. Nga auditimi i formularëve të rezultateve, procedurë e brendshme e QNR-së, pra në bazë të të gjeturave është bërë klasifikimi i formularëve të rezultateve. Pra të gjitha të gjeturat i kemi grumbulluar në katër grupe. Grupi i parë ka të bëj me ganbimin në bartjen e votave në formularët e futjes së të dhënave dhe rezultateve dhe janë 35 vendvotime të cilat nuk kanë mundur të kalojnë auditimin. Pra një numër nuk kanë mundur të kalpojnë auditimin dhe të procesohen si të rregullta të cilat nuk kanë mundur të kalojnë auditimit për arsye se në formularët e përputhjes së të dhënave dhe rezultateve dhe janë futur edhe votat gabimisht votat tek subjektet e tjera. Pra kjo është arsyeja tek grupi i parë i vendvotimeve që janë në tabelën dhe rekomandimin për rinumërim, pra gabim në bartjen e votave. Gategoria e dytë është gabim në bartjen e votave në formularët e rezultateve të votave në formularët e kandidatëve. Pra nga të gjeturat nga auditimi rezulton se janë 6 vendvotime me probleme teknike të cilat në gjendjen si janë nuk mund të procesohen në bazën e të dhënave për shkak se votat janë të paqarta. Pra nuk janë të shënuara në mënyrë të qartë votat për kandidatë. Kategoria e tretë që ka numrin më të madh të vendvotimeve për të cilat rekomandohet që të kemi rinumërim për to, është kategoria kur kandidati ka më shumë vota apo gjithë kandidatët kanë më shumë vota sesa subjekti. Nga të gjeturat nga auditimi rezulton se janë 370 vendvotime në të cilat një kandidat ka më shumë sesa subjekti dhe në raste të caktuara kemi kur të gjithë kandidatët kanë më shumë vota sesa subjekti. Pra edhe për këtë është rekomandimi që të kemi rinumërim të plotë. Dhe rekomandimi i katërt është kur subjekti ka vota ndërsa kandidatët nuk kanë vota dhe anasjelltas. Pra nga të gjeturat e auditimit rezulton se bëhet fjalë për 83 vendvotime tek të cilat nuk ka vota te subjekti ndërsa kandidatët kanë vota dhe anasjelltas kur kandidati nuk kanë vota ndërsa subjekti po. Pra të gjitha këto probleme të cilat nuk kanë mundur të prcesohen të rregullta sistemi i ka detektuar dhe aktualisht në formën se si janë nuk mund të procesohen si të rregullta. Dhe për këtë arsye i kemi katër rekomandime të cilat i kemi sjellë para komisionit dhe që duhet të zgjedhën dhe nevojitet vendimmarrje në mënyrë që procesorhet më tutje me këta formularë të rezultateve. Pra vlen të theksohet se nuk kemi probleme me votat e subjekteve mirëpo problemi kryesisht është te votat e kandidatëve dhe mos shënimi i saktë te votat e kandidatëve. Sistemi i ka detektuar të gjitha këto vendvotime dhe bëhet fjalë për 494 vendvotime të cilat nevojiten të rinumërohen, apo në përqindje 20.75 për qind prej totalit të vendvotimeve”, ka thënë Ahmetaj, raporton më tutje Demokracia.com.

Në anën tjetër, anëtari i KQZ-së nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ka kritikuar QNR-në në lidhje me punën e tyre. Sipas Kurteshit, në QNR nuk është duke u punuar ashtu siç duhet.

Ai po ashtu ka ngritur edhe dyshime në lidhje me votat e diasporës, raporton më tutje Demorkacia.com.

Ai ka thënë se ka pliko që janë në postë dhe KQZ-ja nuk i ka tërhequr ato por po ashtu ka ngritur shqetësimin që prokuroria është duke hetuar disa pliko të ardhura nga diaspora.

“Po e filloj me procedeimin e votave nga jashtë. Ne e personalisht unë jam duke e përcjellë vazhdimisht krejt procedurën në QNR që pesë ditë. Sigurisht jo prej mëngjesit deri në mbrëmje, por po e përcjellim vazhdimisht dhe kemi vërejtje që dua t’i them këtu. 1, procedimi i votave nga jashtë e ka një gjuhë e përdorur për ato vota që nuk kanë mundur të verifikohen apo në çfarëdo mënyre nuk janë aprovuar si të refuzuara apo nuk janë refuzuar. Ato vota duhet të verifikohen edhe një herë secila veç e veç, cilat janë arsyet dhe për këtë KQZ-ja duhet të marrë vendim për krijimin e një komisioni kompetent përgjegjës që verifikon secilën pliko, cilat janë arsyet. Këtu kemi disa arsyetime edhe nuk është D7 edhe unë e kam parë një kuti me D7 dhe është mirë që të na sqarohen këto dhe këto sqarime që i kemi këtu nuk janë të mjaftueshme dhe do të ishte mirë që të na sqarohen. Ka raste kur personat kanë aplikuar e dalin se nuk kanë aplikuar, ka raste kur aplikacioni është refuzuar por në të vërtetë nuk është refuzuar, kjo është një çështje që len mjaft dilema dhe shtron shumë pyetje. Ne e dimë prej fillimit e deri në fund se çështja e votave nga jashtë, e mërgatës është përcjell me problemet më të mëdha në të gjitha proceset e procedurës KQZ-ja nuk ka arritur që t’i përmbush obligimet e veta sa i përket votave nga jashtë. Kjo është pasojë e mosaplokimit të një aplikacioni online ku janë krijuar qindra fish shpenzime më të mëdha, ngarkesa dhe nuk ka mundur që t’i përmbush KQZ-ja obligimet, ka shkelur afatet edhe tash vjen te fjala refuzim. Nuk mund të refuzohen qytetarët e Republikës së Kosovës që e dëshmojnë se janë qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët kanë aplikuar dhe e kanë një të drejtë kushtetuese të garantuar. Mund të ketë shkelje ose çështje të vogla, por këto nuk mund të refuzohen, prandaj kërkesa është që të krijohet një komision edhe sigurisht një numër shumë i madh nga këtu që po i shoh unë këtu, prej 9 mijë 49 gjithsej të refuzuara. Këtë duhet ta verifikojë secilën votë, secilin aplikacion veç e veç KQZ-ja. Unë mendoj se edhe tash jemi duke i shkelur afatet dhe kjo është duke shkuar shumë ngadalë dhe ju vetë deklaruat se është nën 50 për qind të hapjes së plikove. Nuk janë angazhuar të gjitha kapacitete, por edhe sikur të angazhoheshin të gjitha nuk ka me mundur që të arrijë sepse ne kemi bërë shkeljen e parë, krejt procesi i numërimit, rinumërimit të votave është elektronik s’kemi mundur të dalim jashtë kësaj, kurse kur ka qenë për aplikimin e votuesve nga jashtë keni thënë se jo kjo s’bën se e prish integritetin e procesit. Ky është absurdi që e kemi marrë ne vendim këtu. Secila votë që quhet e refuzuar e nuk është e refuzuar duhet të verifikohet edhe një herë edhe ne nuk kemi të drejtë që t’ia mohojmë askujt të drejtën e votës për asnjë arsye nëse ai votues apo ajo votuese e ka kryer obligimin e vet. Këtu nuk është kryer një obligim, nuk është publikuar lista e të gjithë aplikuesve me e pa secili a është në atë listë edhe me u ankua pse nuk është në atë listë dhe si duket ka raste kur njerëzit kanë aplikuar edhe ju thuhet se nuk kanë aplikuar sepse me gjasë kanë humbur e-mailat apo nuk janë hapur të gjitha. Duhet të publikohet lista e atyre që janë refuzuar, kurrë nuk është publikuar. S’mund t’i thuash dikujt se nuk ke aplikuar ose nuk i ke plotësuar kushtet pa e publikuar listën. Çështja e dytë te auditimi i vendvotimeve. Auditimi ka filluar të mërkurën, të premten nga ajo që unë e kam parë kanë qenë mbi 175 vendvotime të audituara që kanë qenë të rekomanduara për rinumërim. Nga e premtja salla në QNR rrinë e qetë nuk futen vendvotimet për rinumërim, pse kjo zvarritje. Ka mundur të premten, të shtunën dhe të dielën me u bë rinumërimi dhe sot kur kemi ardhur këtu do të kishin mbetur vetëm 100 apo 50 për rinumërim dhe ne sot e shtymë për 4 ditë rinumërimin pa asnjë nevojë sepse ato kanë qenë të rekomanduara nga auditimi. Ne nuk kemi marrë vendim sepse nuk kemi mbajtur mbledhje. Në lidhje me votat nga jashtë. Ka informata edhe neve nuk na janë përcjellë ato informata se ka ardhur posta e shpejtë DHL dhe në postën e rregullt dhe ne nuk jemi të informuar si KQZ-së. Nëse ka pako që janë në emër të KQZ-së, pronar është KQZ-ja dhe ato pako duhet t’i tërheq. A numërohen a jo, ajo ka me qenë çështje e një procesit gjyqësor, pro jo të heshtet. Tash pyetja ime është a ka pako që presin në postën e shpejtë DHL dhe në postat e tjera, apo nuk ka?. Nëse ka pse nuk janë tërhequr ato?. Aty ka edhe dokumente personale dhe nuk është posta pronarë e atyre plikove, por është KQZ-ja. E mandej njerëzve dhe subjekteve politike që t’i hapet rruga për proceset gjyqësore, por jo vetëm të heshtet. Pse nuk është informuar KQZ-ja. Ne kemi marrë informata jashtë KQZ-së se aty ka edhe ato duhet të pranohen me çdo kusht. Çështja tjetër është edhe votat me kusht. Pse për to nuk merret vendim me u numëruar. Ato duhet të numërohen. Cila është arsyeja që me prit dhe QNR-ja është për me numërua e rinumërua, pse me pushu QNR-ja. Pse po pushohet e s’po punohet. Ne kemi parë prokurorët dhe policët në lidhje me hetimet e votave nga jashtë dhe personalisht jam informuar se aty ka hetim të çështjes së votës. Vendimin e çështjes së gjykatës ne nuk e kemi. Thotë po e ka KQZ-ja. Kush e ka atë vendim dhe përse nuk i dorëzohet anëtarëve. Pse po fshehët ai vendim i gjykatës. Pse nuk e kam atë vendim.  Çështja krejt e fundit. Ne nuk guxojmë të lëmë tema tabu në mjetet e informimit por edhe nga vendvotimet shihet se ka pasur keqpërdorime dhe manipulime të votave për partitë e komuniteteve. Ka raste kur në disa komuna dhe vendbanime ku nuk ka sidomos minoriteti boshnjak, ku nuk ka pjesëtarë të minoritetit boshnjak parti boshnjake kanë marrë vota jashtëzakonisht shumë, është edhe një parti rome në Garaçancië. Ajo diskutohet në publik, diskutohet e bëhet e madhe. Ka supozime të ndryshme, KQZ-ja hesht”, u shpreh Kurteshi, raporton më tutje Demokracia.com.

Pas kësaj, Ahmetaj, ka kërkuar nga KQZ-ja që të mos bëhet presion në punën e QNR-së.

“Kërkoj nga KQZ-ja që të mos bëj presion dhe presion në pjesët operacionale sa i përket procesimit të materialit”, theksoi Ahmetaj.

Por i menjëhershëm ishte reagimi i Kurteshit i cili tha se kërkon sqarim për mospunën e QNR-së dhe nuk është duke bërë asnjë presion.

“Kjo fjali është për me e mbulua mospunën që po bëhet atje. Lërini këto forma të presionit. Kjo formë e fjalëve hiqen presionin, asnjë presion nuk ka. Unë po bëj pyetje konkrete se përse nuk po bëhet numërimi në QNR”, theksoi Kurteshi. /Demokracia.com/

Të ngjashme