Lajme
Lufta për kapitalin njerëzor – Macron e paralajmëroi, Rama e shpalli
Demokracia
15:26 | 30 Janar 2024

Share:

Askush nuk do të ishte i çmendur sot nëse do të artikulonte se Shqipëria është në luftë!

Një luftë pa armë, pa përfshirje diplomatike, por në një aspekt shumë më të gjerë dhe cinik se dy të parat, ku askush më nuk ka ndërmend të lëshojë pe.

Më 16 janar, Emmanuel Macron doli për të parën herë në pesë vjet në një konferencë të hapur “prime time” me gazetarë nga e gjithë Evropa.

Në disa pika i listoi qartësisht shqetësimet e Parisit.

Popullsia po plaket, profesionistët nuk po gjenden më në tregun e punës, 10 milionë orë mësimore në shkolla ishin humbur në 2023, sepse nuk ka mësues.

Kjo e fundit mbi të gjitha, një emergjencë kombëtare, e cila lëshon alarmin më të madh sipas Macron për shoqërinë franceze të dhjetëvjeçarit të ardhshëm.

Shumëkush mund të mendojë, por ku lidhet Shqipëria këtu?

Në alarmin që dy javë pas Macron, ngre kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili shpall një program kombëtar të zhvillimit profesional të mësuesve.

Çfarë tha ai në këtë ngjarje?

“Është një kohë kjo, në të cilën ka filluar një luftë pa armë, shumë e egër, e cila është ajo për kapitalin njerëzor”.

Rama e artikuloi qartë se vendet më të zhvilluara në Evropë, janë duke u plakur dhe këtë kërkojnë ta luftojnë duke thithur kapital njerëzor nga vendet e tjera, të vogla, me popullatë më të re në moshë.

Kësisoj, sfida e Francës (dhe të tjerëve me të) është t’i thithë Shqipërisë, Ballkanit, kujtdo që ka mundësi, kapitalin aq të nevojshëm njerëzor, që e ka thithur a priori në tre dekada tashmë.

Por kjo është një valë e re ofensive për Evropën, me një krizë të egër emigrantësh të jashtëligjshëm në dyert e saj, por njëkohësisht me nevojën për fuqi punëtore në rritje.

Për këtë aspekt, Qeveria Rama ka vendosur edhe të rrisë pagat e mësuesve, në mesatarisht 950 euro për arsimtar.

Por kjo nuk është e mjaftueshme dhe këtë e përcakton vetë kryeministri shqiptar.

Llogaritja e parë e thjeshtë është ajo e disnivelit të pagave: Në Francë fjala bie, një mësues fiton mesatarisht 2 mijë e 800 euro në muaj.

Kësaj i shtohen edhe aspekti i mirëqenies jetësore, shërbimeve në nivele shumë më të larta dhe një komoditet i të jetuar në vende më të fuqishme evropiane, pensionim më i shpejtë, përfitime buxhetore më të mëdha pas daljes në pension.

Kështu, ajo çfarë presidenti francez e paralajmëroi, nuk është utopike, tabu, apo projektim shumë i largët i situatës, me synim parandalimin.

E tillë mbetet situata edhe në Gjermania, Itali, Spanjë, Britaninë e Madhe, ku plakja e popullsisë po merr hov të furishëm.

Mbi të gjitha, nuk bëhet fjala vetëm për mësuesit, por kërkesat e tregut janë edhe ato për mjekë, infermierë, deri te krahu i thjeshtë i punës.

Është zyrtarisht një betejë e shpallur për Shqipërinë dhe këtë shpallje e bëri vetë ai.

Edhe veprimi – për të shmangur atë çfarë quan si “të pamundurën për t’u kaluar” (disfatën dhe ikjen masive të shqiptarëve) – i takon kabinetit të tij.

Të ngjashme