Lajme
“Luani në kafaz” | Kurti po anashkalohet nga ndërkombëtarët, Osmanit i shkuan sërish në zyre
Demokracia
22:55 | 03 Prill 2024

Share:

Albin Kurti po vazhdon të anashkalohet nga ndërkombëtarët. I rrethuar me njerëz që ia rrahin shpinën në parti, Kurti po vazhdon të krekoset se marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shkëlqyera. Por, pas paralajmërimeve të fundit të zyrtarëve të lartë amerikanë dhe deklaratës së eashpër të ndihmëssekretarit amerikan James O’Brien, i cili tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit, Kurti po vazhdon të mënjanohet prej tyre. O’Brien për më tepër u shpreh se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, shkruan Demokracia.com.

Një ‘shuplakë’ të tillë për Kurtin e pati edhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Prej kur Kurtit iu bë e qartë se nuk është partner i besueshëm, atij i ka mbetur të takohet vetëm me Kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin.

Escobar madje ia tha edhe publikisht Kurtit se e shohin presidenten Vjosa Osmani si partnere, duke e quajtur “gardiane” të marrëdhënieve, ndonëse edhe ajo menjëherë pas pak ditësh e sulmoi ashpër ambasadorin Hill, deklarata e të cilët më pas u vërtetua edhe nga gjenerali Clark dhe të tjerë.

Kurti, i cili vendosi që 24 hektarë tokë të regjistroheshin si pronë e manastirit dhe mori mjaft kritika në Kosovë për këtë, tash po shihet si njeri i dorës së dytë. Shembulli i fundit është edhe sot kur ambasadorët e vendeve të QUINT-it për çështjet e rëndësishme të Kosovës po i drejtohen Osmanit dhe ku Kurti po ftohet thjesht si pjesëmarrës. Temë e këtij takimi ishte anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës. Pra, edhe për KiE dhe procedimin tutje të Asociacionit, të cilin Kurti duhet ta votojë në mbledhje të Qeverisë dhe të zyrtarizohet pranimi i tij para se të dërgohet në Kushtetuese, amerikanët prapë biseduan vetëm me Osmanin, duke e anashkaluar Albin Kurtin. Të hënën, Jim O’Brien, ndihmëssekretar amerikan, e mënjanoi sërish Kurtin dhe telefonoi vetëm Osmanin, e cila është e pafuqishme të shtyjë agjendë përpara, të cilës i kërkoi edhe Asociacionin, ndërsa Osmani u shpreh se biseduan për anëtarësimin e Kosovës në KiE. /Demokracia.com/

Të ngjashme