Lajme
Kurti e çonte “në qiell” Zajednicën që e pranoi në Bruksel, më pas i ra pishman
Demokracia
19:00 | 08 Maj 2024

Share:

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pa nënshkrimin e pakos me Marrëveshjet Bazike dhe Aneksin, plus Asociacioni, statuti i këtij të fundit nuk shkon kështu në Gjykatë Kushtetuese.

Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se drafti i statutit nuk është dokument, por jo-dokument.

“Nëse më datë 26 tetor 2023 do të pranohej dhe nënshkruhej paketa e marrëveshjes në Bruksel, vetëm atëherë ai draft-statut do të mund të dërgohej në Gjykatë Kushtetuese. Draft-statuti i Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të QUINT-it, si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jo-dokument, pra është një non-paper”, tha Kurti.

Por, pak kohë pasi e pranoi marrëveshjen, Kurti e çonte “në qiell” Zajednicën dhe vetëmenaxhimin e serbëve që e pranoi në Bruksel, shkruan Demokracia.com.

Në raportimin e tij në Kuvend, pak kohë pasi e pranoi, Kurti ka thënë se ajo nuk është Zajednicë. Sipas tij, drafti i BE-së ishte në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kurti thoshte se mendimin juridik për këtë statut do ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Megjithatë, si udhëheqës i qeverisë dhe politikan, dua të them një këndvështrim politik për draftin. E para, drafti në vlerësimin tim politik e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte cimentuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Pra, në gjykimin tim politik, drafti ka një qartësi sa i përket njohjes se Republikës së Kosovës si një shtet i pavarur”, ka thënë ai, duke shtuar se formati tani ndryshon nga Zajednica.

“Kjo qartazi nuk është Zajendicë, ashtu siç e parashihnin marrëveshjet 2013 dhe 2015. Sepse, asisoj do të ishte edhe e padiskutueshme. E dyta, drafti në vlerësimin tim politik e bënë të qartë se mekanizimi që do të themelohet ka karakter koordinues dhe bashkëpunes. Pra, nuk do t’i paragjykojë e as të ndërhyjë në kompetencat e ushtrimit publik të komunave dhe organeve qendrore”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se kjo është një qasje e re e dialogut të Brukselit.

“Ky plan përfshinte edhe një propozim për një daft-statut për zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes. Ne e kemi përshëndetur dhe vlerësuar qasjen e re dhe planin e ofruar për ecjen përpara. Leximi ynë është që draft-propozimi për zbatimin e nenit 7 që është sjellur nga pesë emisarët euro-amerikanë, duke u shkruar me kujdes për germat e Kushtetutës do të thosha më shumë sesa për frymën e tij. Draft-propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Gjykata Kushtetuese menjëherë pas pranimit të tij”, ka thënë Kurti.

Më tej, ai ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë dokumentin në Bruksel. Por, sipas tij, atë e ka refuzuar presidenti serb.

“Para krerëve evropianë, ne ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë të 27 shkurtit me gjithë aneksin zbatues të Ohrit të 18 marsit dhe propozimin për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes në lidhje me nenin 10, pra për idenë e vetëmenaxhimit. Nënshkrimi do të nënkuptonte pranim e për rrjedhojë zbatim, por pranimi do të thotë nënshkrim e vetëm nënshkrimi do të thotë pranim dhe garanci për zbatim”, kishte thënë Kurti.

Ai ka treguar se kjo është kërkesë e emisarëve perëndimorë.

“Me aq sa mundëm në vijim do të flas për këtë draft-propozim, por njëkohësisht pa detaje, meqë është obligim ndaj emisarëve të BE-së dhe SHBA-së të cilët kanë kërkuar që ne ta respektojmë këtë kërkesë të tyre. Besoj që në vazhdim ata duhet e do ta publikojnë për të ofruar më shumë transprancë. Për ne, drafti mund të publikohet qysh sot”, ishte shprehur ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme