Lajme
“Luani i Shqiptarisë” tregon hapur dorëzimin para Serbisë: Kaq munda të bëj Adriatik, nuk e lashë Zajednicën në nenin 1, por në të 10-tin
Demokracia
10:08 | 31 Mars 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhjetë vjet të jetës së tij ia kushtoi kundërshtimit të çfarëdo forme të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ose siç e quante ai, “Zajednices”.

Por, ai tani e pranoi krijimin e tij në një takim në Ohër me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ndërmjetësuar nga BE.

Duke tentuar ta minimizojë atë që e ka pranuar, tani Kurti po bën lojëra fjalësh, shkruan Demokracia.com.

Kurti mbrëmë në “Rubikon” të Klan Kosovës tha se futja e Asocacionit në nenin e 10 të marrëveshjes, ka qenë një sukses.

“E para një vit e gjysë bisedime me partnerët ndërkombëtar, por edhe takimet e drejtpërdrejta, beteja kryesore e fqinjit tonë verior ka qenë që zbatimi i Asociacionit të jetë parakusht për cfarëdo fillimi të bisedimeve. Kjo ka rënë. Ky ka qenë plani A i Serbisë. Plani B ka qenë që të vendoset në preambulë. Ka rënë. Plani C ka qenë që të vendoset neni 1 ose 2, ka rënë. Plani D ose Q ka qenë që të jetë Asocacioni i komunave me shumicë serbe nen i vecantë. Sot e ke planin franko-gjerman të shndërruar në marrëveshje ndërmjet neve, ku asociacioni është një prej 39 marrëveshjeve në nenin 10. Kaq kam mundur të bëj Adriatik”, ka thene ai.

Kurti e ka pranuar krijimin e “Zajednicës”  dhe është fare pak e rëndësishme nëse krijimi i saj është në pikën 1 apo 10, vecanërisht pasi zotohej se me të nuk do të krijohej asnjëherë.

Kujtojmë që më 18 mars, Kurti u pajtua me Vuçiqin për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, që u aprovua me një deklaratë të Bashkimit Evropian.

Aneksi është shtojcë integrale e marrëveshjes bazë dhe parashikon që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për të respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks, si dhe të implementojnë të gjitha detyrimet që rrjedhin nga ajo.

Marrëveshja dhe ky aneks po ashtu për palët bëhen pjesë kyçe e proceseve të integrimit.

“Menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, lehtësuesja, BE-ja do të nisë procesin për të amandamentuar Kapitullin 35 për Serbinë për të pasqyruar detyrimet e reja të Serbisë që rrjedhin nga Marrëveshja dhe ky Aneks. Agjenda e Grupit Special të Kosovës për Normalizim po ashtu do të reflektojë obligimet e reja të Kosovës që burojnë nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në aneks.

Palët janë dakorduar të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Gjithashtu specifikohet edhe neni 7 i marrëveshjes bazë për vet menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.

“Për ta implementuar nenin 7, Kosova fillon menjëherë negociatat brenda dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar aranzhime dhe garanci specifike për të siguruar nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme përkatëse në dialog, siç përcaktohet nga BE-ja lehtësuese”, thuhet në aneks.

Për të mbikëqyrur zbatimin e aneksit do të themelohet një Komitet i përbashkët Monitorimi 30 ditësh.

Sa i përket nenit 9, të përfitimeve financiare, brenda 150 ditësh mbahet në konferencë donatorësh, por që mjetet nuk disbursohen pa u zbatuar në tërësi aneksi.

Palët po ashtu janë zotuar të implementojnë aneksin pa ndikimin dhe pengimin e njëra tjetrës, derisa aneksi përmbyllet me një paralajmërim për palët në rast moszbatimit që thotë se kjo do ndikojë proceset integruese të tyre.

LEXO EDHE :

Radhët te Ambasadat | Kurti që fliste zi e terr për Kosovën tash thotë se ndikon negativisht t’u thuhet njerëzve se po e humbin shpresën

Të ngjashme