Lajme
Lojtari i Lazios u kërcënua me armë në Beograd, agjenti i tij u rrah brutalisht – zbulohet skandali që ndodhi ditë më parë
Demokracia
18:31 | 23 Tetor 2023

Share:

Adam Marusic dyshohet se u kërcënua me armë në Serbi, ndërsa ishte me familjen dhe agjentin e tij.

Mbrojtësi i Lazios u sulmua në rrugët e Serbisë gjatë kohës sa ishte i angazhuar me kombëtaren e Malit të Zi, shkruan Gazeta Express.

Më 17 tetor, Mali i Zi luajti ndaj Serbisë në Beograd, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.

Agjenti i Marusic, Uros Jankovic, zbuloi situatën gjatë një interviste për mediumin malazez “Vijesti”, duke shpjeguar se si ai, Marusic, dhe familja e lojtarit u sulmuan brutalisht me armë.

Ai pretendon se ishte një tentativë vrasjeje dhe se është goditur më shumë se 30 herë me armë.

Jankovic akuzoi dy djemtë e drejtorit të Crvena Zvezdës, Niksa dhe Kostadin, por dhe vetë Zvezdan Terzicin, se qëndrojnë pas këtij sulmi. I përfshirë ishte edhe pronar i klubit të natës me emrin “Nana” në Beograd. Të përmendurit kanë deklaruar pafajësinë e tyre pas arrestimit nga autoritet serbe, por agjenti i Marusic pretendon se pamjet e kamerave CCTV vërtetojnë përfshirjen e tyre.

“Pasi goditën veturën në të cilën ishte shoferi im me një xhip, duke ardhur nga ana e kundërt, më sulmuan mua, Marusicin, gruan dhe nënën e tij, më goditën me armë në tëmth, dhe djemtë e Zvezdan Terzicit dhe pronari i ‘Nana’ më goditën furishëm me pistoleta në kokë dhe pjesë vitale të trupit. Mollëza dhe këmba e majtë m’u thyen. U transferova në Qendrën Klinike, ku u operova”, tha fillimisht ai.

Ai pastaj shpjegoi se Terzici dhe ekipi i tij i kanë sulmuar para lokalit “Sport”.

“Jemi të rrethuar nga disa makina. Shoferi im ka tentuar të largohet nga vendi, më pas është goditur nga një veturë nga ana e kundërt. Nuk kam arritur as të futem në automjet, jam sulmuar nga pas. Në një moment unë humbën ndjenjat, dhe ata vazhduan të më godasin”.

“Në video shihen qartë, domethënë shihet qartë se Terzici dhe ai po më godasin me pistoleta. Mucki nga pas. Po ashtu shihet se Kostadin Terzic e drejton armën dhe e tërheq në drejtim të kokës dhe gjoksit të Marusicit, për të mos lejuar që ai të më ndihmonte derisa po më rrihnin brutalisht.

Në të kaluarën, Jankovic dyshohet se ishte viktimë e tentativës për zhvatje nga Terzic pas një mosmarrëveshjeje midis tyre.

“Unë nuk e lejova të më bënte shantazh dhe ai nuk mundi ta kalonte. Një vit e gjysmë më parë ai u përpoq të bënte të njëjtën gjë, por pa rezultat. Që atëherë, problemi im me të dhe familjen e tij ka qenë dhe po vazhdon, më saktë që nga ajo kohë ka vazhduar përndjekja, më kanë pritur në disa vende”, deklaroi ai.

Të ngjashme