Lajme
“Lojërat Mesdhetare 2030” – Selimi: Kosova të bëjë gjithçka për të përfunduar dialogun me Serbinë
Demokracia
14:43 | 09 Shtator 2023

Share:

Kosova të premten fitoi të drejtën për organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030. Që ky eveniment të jetë i suksesshëm në organizim, ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, beson se Qeveria e Kosovës quhet të bëjë pikërisht të kundërtën e gjithçkaje që ka bërë deri më tani si në diplomaci e në dialog me Serbinë ashtu edhe në politika të brendshme me organizimin e buxhetit e procesit të prokurimit.

Kosova, sipas Selimit, brenda 7 vjetësh, duhet të jetë bujare, progresive, largpamëse dhe të bëjë gjithçka që është e mundur, për të përfunduar procesin e dialogut me Serbinë, meqë një gjë e tillë është shumë e rëndësishme marrë parasysh faktin se çdo përshkallëzim i situatës me fqinjin veriore, i provokuar nga Serbia apo gabimet tona, do të jetë vdekjeprurëse për organizimin e një evenimenti kaq të rëndësishëm për vendin.

“Suksesi në dialog është gjithashtu i lidhur me Kosovën e cila duhet të tregojë veten si paqebërës në rajon, jo si ngatërrestar. Pra, duhet një qëndrim super miqësor me të gjitha qeveritë ballkanike. Dialogu duhet gjithashtu si një mjet për të rifilluar diplomacinë tonë, aktualisht të vdekur klinikisht, dhe diplomacinë publike”, ka shkruar ai në platformën social “X”.

Sipas diplomatit kosovar, rreth 40 për qind e vendeve pjesëmarrëse në këto lojëra janë nga vendet mos-njohëse të shtetësisë së Kosovës, prandaj të njëjtit duhet të binden për vullnetin super të mirë të Kosovës dhe sigurinë kur të na vizitojnë.

“Kosova duhet të parandalojë çfarëdo kundër-narrative të Serbisë. Komiteti Olimpik Serb e quajti vendimin si ‘skandaloz’”, shton ai.

Gjithë në këtë mes sipas tij dialogu me Serbinë është gjithashtu i rëndësishëm për të siguruar që deri në 2030 Serbia gjithashtu të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare në mënyrë që të mos bëjnë fushatë për bojkot të këtij evenimenti.

Të ngjashme