Lajme
‘Loja politike’ e Sali Berishës dhe Kushtetuta
Demokracia
14:10 | 24 Tetor 2023

Share:

“Nuk pengoj asnjë proces gjyqësor, por s’mund të menderosim Kushtetutën”.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha gjatë ditës sotme, teksa GJKKO është në “pritje” për ta marrë në pyetje pasi ndaj tij është caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me hetimet për ish-kompleksin Partizani.

Dhe kështu me Kushtetutën kryefjalë, Berisha “justifikoi” veten për të mos shkelur në dyert e SPAK-ut.

Megjithatë, deklarata e tij lexohet ndryshe.

Për ish-deputetin demokrat njëkohësisht dhe ish-kandidat për drejtimin e PD-së, Fatbardh Kadilli, “Berisha ka zgjedhur të bëjë lojën politike”.

Në një prononcim për Albanian Post ai thekson se “nuk i intereson fare aspekti juridik”.

“Gjithmonë i është shmangur drejtësisë dhe do vazhdoj t’i shmanget drejtësisë. Po të ishte burrë shteti do të thoshte, po shkoj në gjykatë dhe Prokurori dhe ballafaqohem atje. Nuk kam komente, komentet i bëj atje”.

Dhe sipas tij, Berisha po përdor “pastër Partinë Demokratike”. Dhe kjo, thekson Kadilli nuk është hera e parë që e bën.

“E para ishte, pas humbjes katastrofike të vitit 2013, ku dha dorëheqjen por nuk hoqi dorë nga kontrolli absolut i partisë. E dyta, kur u shpall non-grata, nuk e kurseu partinë demokratike. E përdori PD për hallin e vet personal. E treta është kësaj radhe. Shpresoj që ajo çfarë pashë atë ditë, që në seli kishte më shumë gazetarë se sa politikanë të karrierës, të jetë lajm i mirë që demokratët më në fund ta kenë kuptuar që po përdoren nga Sali Berisha”.

Sa i takon llojit të masës të caktuar për ish-kryeministrin dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, Kadilli vlerëson se “Gjykata ka bërë politikë penale”.

“Ka dashur të shmangë agravimin e situatës në publik. Një zgjedhje që nuk do ta kundërshtoja kur bëhet fjalë për z. Berisha, por nga ana tjetër arrestimi i Malltezi e shoh të panevojshëm. Kjo lidhet me sa profesionale është drejtësia e re”.

Nga ana tjetër, analisti Skënder Minxhozi thekson se kjo ngjarje “shënon rënien e imunitetit politik e juridik të Sali Berishës”.

“Ky akt shënon, nga lartësia e emrit të goditur, fundin de facto të imunitetit politik, si pjesë e ushtrimit të pushtetit. Duhet të ishte kështu edhe për opozitën shqiptare, një pjesë e të cilës dështoi hapur në leximin e drejtë të kësaj që po ndodh”, tha Minxhozi.

Me bërjen publike të masës, deputetët demokratë –mbështetës të Berishës – vijuan me akuza drejt qeverisë dhe marrjen në mbrojtje të drejtuesit të tyre.

I zgjedhuri i grupit të Rithemelimit si kryetar i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi ishte “më i moderuar”.

Për të “kufizimi i lirisë së lëvizjes së Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK”.

Megjithatë, ai shtoi se mbështet “pa asnjë rezervë barazinë e cilitdo përpara ligjit”.

Sipas Kadillit, në këto momente Bardhi “nuk di nga të kthehet”.

Ndërsa, për të është e papranueshme që “Basha rri në heshtje”.

“Një person që merr përgjegjësinë të drejtojë PD duhet t’i dali zot aksionit politik dhe jo të bëj deklarata efemere ku duhet të lexosh me kujdes të kuptosh çfarë ka dashur të thotë. Ngjajnë si deklarata ambasadorësh. Edhe shprehjet që të gjithë që kanë bërë korrupsion të shkojnë para drejtësisë nuk mjaftojnë. Këtë e thonë të gjithë, e thotë dhe Berisha edhe pse s’shkon”.

Lidhur me këtë çështje ka folur dhe analisti politik Kreshnik Spahiu ku thekson se “opozita duhet të pranojë standardin e krijuar nga socialistët që japin autorizim drejtësisë për çdo deputet socialist që po arrestohet duke mos krijuar barriera politike”.

“Parlamenti duhet votojë në komisionin e mandateve për të autorizuar heqjen e lirisë së Sali Berishës”.

Dhe kështu, dy vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për jetën politike të Berishës.

Nga non grata në SPAK…shumë shpejt…

Të ngjashme