Klubet e Superligës së Kosovës në futboll kanë zyrtarizuar vetëm pesë përforcime të huaja të cilët kanë zbarkuar në Kosovë për herë të parë.
Vetëm tri klube këtë merkato kanë zyrtarizuar futbollistë të huaj deri më tani, të cilët nuk janë me nacionalitet shqiptarë, shkruan Demokracia.com.
Llapi ka transferuar tre futbollistë të huaj. Brazilianët Robson Da Silva e Fernandinho i janë bashkuar klubit llapjan këtë merkato. I pari erdhi në “Zahir Pajaziti” nga Al-Mesaimeer, klub nga Katari. I dyti te skuadra e Tahir Batatinës është transferuar nga klubi brazilian, Uberaba.
Drita e angazhoi Ekow Mills, futbollistin e ardhur nga Ghana. 19-vjeçari karrierën kryesisht e ka nisur në vendlindje, ndërsa është aktivizuar për një vit edhe në një klub spanjoll.
Transferim nga jashtë vendit ka kompletuar edhe Dukagjini, klubi nga Klina që së fundmi prezantoi ukrainasin e ardhur nga futbolli sllovak, Vladyslav Khumutov.
Ardian Llumnica, analisti dhe njohësi i futbollit të Kosovës në një prononcim për Demokracia.com e quajti “vetdijësim” të klubeve kosovare numrin e vogël të transferimeve të futbollistëve të huaj.
“Klubet janë vetdisuar sepse ka dhjetëra raste kur futbollistët e ardhur nga jashtë vendit nuk i kanë arritur pritshmëritë e performancës dhe kjo ka bërë që klubet të jenë të kujdesshme. Një futbollist nga jashtë duhet ta bëjë diferencën për ta bindur klubin. Nëse këtë nuk e bënë natyrisht që s’ja vlen që ta marrin. Kur kësaj ia shtojmë që kanë edhe kosto shtesë të ushqimit e banimit atëherë mund të konkludojmë se bëhet edhe më e vështirë. Skautimi është zhvilluar tek ne, klubet duan të binden me cilësitë e një futbollisti e jo si më parë me një pamje në ‘YouTube’ të marrin futbollist e më pas të marrin përgjegjësi për kontratat e tyre. Këto janë disa nga elementet që ndikojnë në rënjen e përforcimeve me futbollist të huaj”, theksoi Ardian Llumnica./Demokracia.com/