Lajme
Lirohet nga akuza për korrupsion ish-drejtori i Inspekcionit në Gjilan
Demokracia
16:17 | 01 Nëntor 2023

Share:

Gjykata Themelore në Gjilan ka marrë aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit Nevzad Rushiti, lidhur me akuzën se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Aktgjykimi ndaj Rushitit është marrë të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues Ramiz Azizi, raporton, “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatësit Azizi, i akuzuari lirohet nga akuza pasi nuk është provuar se ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Pala e dëmtuar- Komuna e Gjilanit është udhëzuar në kontest civil, ndërsa kundër këtij aktvendimit, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afatin e paraparë ligjor.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 25 maj 2022 nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, Nevzad Rushiti ngarkohej se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Inspekcionit në Komunën e Gjilanit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar.

Sipas aktakuzës, edhe pse inspektorët e ndërtimit gjatë vizitës në objektin e pronarit Besnik Qarrolli, kanë konstatuar se objekti është duke u ndërtuar pa leje ndërtimore, i shqiptojnë gjobë prej 300 euro, i pandehuri në prill të 2021-ës, nxjerrë aktvendimi për rrënimin e objektit pa leje, përkundër që janë plotësuar kushtet për rrënim, nuk e ekzekuton të njëjtin edhe pse ka qenë obligimi i tij zyrtar që ta ekzekutojë.

Në aktakuzë thuhet se me këtë mosveprim i pandehuri akuzohej se i ka shkaktuar dëm Komunës së Gjilanit, në vlerë të taksave të papaguara dhe ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit.

Për këtë ai ngarkohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, ku parashihet dënimi me burgim prej një deri në tetë vjet.

Të ngjashme