Lajme
Lirohen të dyshuarit për vrasjen e gazetarit serb, DASh: Ditë e trishtuar për gazetarinë në Serbi
Demokracia
09:51 | 03 Shkurt 2024

Share:

Vendimi i Gjykatës së Apelit në Beograd për të rrëzuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe për të liruar katër të akuzuarit për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija – Radomir Markoviq, Millan Radonjiq, Ratko Romiq dhe Mirosllav Kurak – është dekurajues dhe paraqet një ditë të trishtuar për gazetarinë në Serbi.

“Është dëshpëruese të shohësh se drejtësia dhe përgjegjësia për vrasësit e Sllavko Quruvija mbeten të pakapshme, edhe 25 vjet pas vrasjes së tij. Një ditë e trishtuar për gazetarinë”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Departamentit të Shtetit për “Zërin e Amerikës”.

“Ne riafirmojmë angazhimin tonë për t’i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve dhe i bëjmë thirrje komunitetit global të bashkohet për të mbajtur përgjegjës ata që drejtojnë dhe kryejnë dhunë, ngacmojnë dhe frikësojnë punonjësit e medias”, shtoi Departamenti i Shtetit.

Veç Departamentit të Shtetit, vendimi i gjykatës në Beograd shkaktoi reagime të shumta edhe nga shoqatat ndërkombëtare të gazetarëve, të cilat vlerësuan se përbën një goditje të rëndë për lirinë e mediave në Serbi.

“Lirimi nga fajësia i ish-anëtarëve të shërbimit të sigurimit serb të cilët ishin dënuar më parë për rolin e tyre në vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija është një goditje e madhe për drejtësinë dhe për të gjithë ata që kanë punuar pa u lodhur për dekada për t’i dhënë fund mosndëshkimit për vrasjet”, tha Gulnoza Said, koordinator i programit për Evropën dhe Azinë Qendrore në Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ).

“I dërgon mesazh rrëqethës komunitetit tashmë të mbytur mediatik në Serbi se vrasjet e gazetarëve mbeten të pandëshkuara. U bëjmë thirrje autoriteteve serbe që të sigurojnë që të gjithë ata që janë përfshirë në vrasjen e Quruvijës të sillen para drejtësisë”.

Organizata Reporterët pa Kufij thekson se janë të habitur nga vendimi i gjykatës dhe vlerëson se ai paraqet një goditje të rëndë për lirinë e medias në Ballkan.

Maja Sever, presidente e Federatës Evropiane të Gazetarëve, tha se vendimi ishte “një goditje e tmerrshme për gazetarët dhe komunitetin mediatik në Serbi”.

Përfaqësuesja për lirinë e mediave të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Tereza Ribeiro dhe kreu i Misionit të OSBE-së në Serbi, Jan Braathu, shprehën habinë e tyre për lirimin nga akuzat.

“Fakti që ky rast është ende i pazbardhur, gati 25 vjet pas vrasjes së Quruvijës, është shqetësues. Mosndëshkimi i krimit të tmerrshëm nuk është vetëm i dhimbshëm për familjen dhe kolegët e Quruvijës, por edhe zhgënjyes për të gjithë shoqërinë serbe”, thuhet në deklaratë.

Shtohet se mosndëshkimi për krimet ndaj gazetarëve në çdo shoqëri kërcënon sigurinë dhe lirinë e medias së tyre.

Vendimi ngre pyetje serioze lidhur me shtetin e së drejtës, vlerësuan Ribeiro dhe Braathu.

Koalicioni për Lirinë e Medias dhe “SafeJournalist”, një rrjet rajonal ballkanik, bëri të ditur se janë të zhgënjyer me vendimin e Gjykatës së Apelit.

“Rasti i vetëm i vrasjes së një gazetari në Serbi që ka arritur në gjykatë nuk ka përfunduar me një dënim të formës së prerë. Me këtë vendim shteti tregon se nuk është në gjendje ose nuk dëshiron të zbardhë rastet e vrasjeve të gazetarëve. Po ashtu, po dërgohet mesazh për gazetarët se shteti nuk do t’i mbrojë ata”, thuhet në njoftim.

“Zvarritja e hetimeve për vrasjet e gazetarëve është një mënyrë që tregon se shteti i Serbisë nuk dëshiron realisht të përballet me këto krime dhe të ndëshkojë autorët. Gazetarët në Serbi normalisht ndihen të pasigurt dhe këtë e tregojnë të gjitha raportet ndërkombëtare dhe vendore për lirinë e mediave, me këtë verdikt ajo ndjenjë vetëm sa do të përkeqësohet”, përfundon deklarata.

Të ngjashme