Lajme
Ligji si “llastiku”: Komuna e Prishtinës shpërblen me tender grupin e kompanive që u ka hapur procedurë për shkëputje të kontratës tjetër
Demokracia
13:10 | 11 Dhjetor 2023

Share:

Ligji i Prokurimit Publik nuk është i njëjtë për krejt drejtoritë në Komunën e Prishtinës. Një drejtori gjen interpretime ndryshe, një tjetër ndryshe. Ose është ligji ai që ka defekte serioze. Kjo për faktin se Drejtoria e Parqeve e ka shpallur të papërgjegjshëm një grup të operatorëve ekonomikë që po kryen disa punë, ndërsa Drejtoria për Investime Strategjike e ka rekomanduar për një kontratë të re të njëjtin konzercium, shkruan Demokracia.com.

Në fund të muajit të kaluar, Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike në Komunën e Prishtinës, që udhëhiqet nga Donika Çetta, ka bërë të ditur se është dërguar për shkëputje kontrata për ‘Ndërtim të parkut linear’ në lagjen e Spitalit, si pasojë e mosrealizimit dhe tejkalimit të të gjitha afateve sipas planit dinamik dhe shkeljes së kontratës.

Në shtator të vitit 2022, Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 215 mijë euro me Grupin e Operatorëve Ekonomikë BESIONI SH.P.K.; N.T. FLAMURI; Benita Company për këtë projekt që pritej të përfundonte për 90 ditë pune.

Por, pas zvarritjeve njëvjeçare të tenderit që peshon mbi 1 milion euro “Ndërtimi i rrugëve IV LLOTE”, Komuna e Prishtinës ka publikuar kompanitë e rekomanduar për kontratë.

Për lot 1 është rekomanduar kompania “Haxha Kom” SH.P.K, në vlerë prej 186,934.58 euro. Për lot II është rekomanduar “BENI – COM SH.P.K”, vlera 349,741.60 euro. Për lot IV, “GASHI ING SH.P.K”, në vlerë prej 264,470.18 euro.

Ndërsa, për lot III është rekomanduar Grup i Operatorëve Ekonomikë FLAMURI V SH.P.K.; N.T. FLAMURI ; BESIONI SH.P.K, vlera e çmimit 226,901.45 euro. Pra, bëhet fjalë për grupin e njëjtë, i cili vetëm para pak ditëve është dërguar në Zyrën e Prokurimit si propozim për shkëputje të kontratës. Por, tash pjesë e konzorciumit nuk është kompania “Benita Company”.

 

Tenderi është vlerësuar nga Zyra e Prokurimit dhe Drejtoria e Investimeve Kapitale.

Pas inicimit të shkëputjes së kontratës këtij grupi ekonomik, Drejtoresha e Parqeve, Donika Çetta, kishte thënë se kompanitë në fjalë, nga fillimi i punëve kanë pasur vërejtje e pakënaqësi me punimet që po kryheshin. “Punimet kanë nisur në tetor 2022, më pas janë ndërprerë për shkak të motit. Dy herë në mars të këtij viti u kemi kërkuar që të rinisin me punët e mbetura, pasi nuk kemi parë aktivitet. Derisa në muajin maj kemi dërguar vërejtjet për shkak të cilësisë së punimeve që nuk ka qenë në nivel”, kishte thënë Çetta.

Ajo kishte shtuar se punë jokualitative janë kryer duke nisur nga dheu, ngjeshja e gurëve, mbjellja e findanëve e ndriçimi.

Drejtoresha Çetta tutje kishte pohuar se nuk do pranojnë më operatorë të papërgjegjshëm. Projekti për parkun ka qenë në plan të implementohet në pjesën ku ka qenë ‘Luna Parku’ dhe ishujt mbi rrugë.

Komuna e Prishtinës ende nuk e ka bërë publik vendimin nëse i është shkëputur apo jo kontrata operatorëve në fjalë, ndërkohë ajo që dihet është se një tjetër e re pritet të lidhet këto ditë më ta. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024