Lajme
“Ligjërisht të detyrueshme” – Ambasadorja e ShBA-së në OKB mbrëmë ua riktheksoi Kurtit e Vuçiqit se marrëveshja ku përfshihet “Zajednica” s’ka nevojë për nënshkrim
Demokracia
19:05 | 09 Shkurt 2024

Share:

Mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq. Ky i fundit e thirri mbledhjen urgjente të Këshillit të Sigurimit për vendimin e BQK-së për çështjen e ndalimit të dinarit.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në pjesëmarrjen e tij në Këshillin e Sigurimit në OKB, e ka ftuar haptazi para të pranishmëve, presidentin serb Aleksandar Vuçiq të nënshkruajë marrëveshjen.

Ftesa e sërishme e tij erdhi pasi që edhe pas shumë përpjekjeve për nënshkrim, Vuçiq ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

”Përkundër ofertave të mia të përsëritura, Vuçiq ka refuzuar të nënshkruajë. Ndaj, ftoj të nderuar, të nënshkruajë këtu sot, menjëherë, duke theksuar rolin krucial të kartës së OKB-së në këtë marrëdhënie”, u shpreh Kurti.

LEXO MË SHUMË:

Kurti e fton Vuçiqin në Këshill të Sigurimit ta nënshkruajnë marrëveshjen që zëvendësit e tij deklarojnë se granton Republikë Serbe në Kosovë

Por, sa i përket nënshkrimit, ambasadorja e ShBA-ve në OKB, Linda Thomas-Greenfield, u shpreh qartë se Marrëveshja e dakorduar vitin e kalur së bashku me aneksin e zbatimit janë ligjërisht të detyrueshme edhe pa nënshkrim.

“Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe aneksi i zbatimit të saj, për të cilin të dyja palët u pajtuan vitin e kaluar, janë zotime ligjërisht të detyrueshme. Dhe ato shërbejnë si një udhërrëfyes për secilën palë për të ulur tensionet dhe për të ecur urgjentisht përpara në rrugët e tyre përkatëse evropiane.”, tha në fund të fjalimit ambasadorja amerikane.

Përfaqësuesja e SHBA-së në KS të OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, i kërkoi Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga siç e tha “veprimet e pakoordinuara apo përshkallëzuese”, si dhe inkurajoi vendet t’i rikthehen dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Për çështjen e dinarit, ajo tha se SHBA ka shprehur brenga sa i përket planit të Kosovës për zbatimin e rregullores së BQK-së, duke u shprehur se “vendimi është marrë pa përgatitje adekuate apo konsultim me popullatën lokale”.

“ShBA mbesin të përkushtuara për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe mbështetjen tonë për forcën e Kosovës në përputhje me mandatin e OKB-së. Është qëllim i yni së bashku me partnerët europianë të nxisim demokracinë, integrimin ekonomik-rajonal, një shoqëri shumë etnike dhe sundim të ligjit”, tha ajo në KS të OKB-së./Demokracia.com/

Të ngjashme