Lajme
Liderët kryesor europianë urojnë Kosovën për 13-vjetorin e pavarësisë, theksojnë rëndësinë e arritjes së marrëveshjes me Serbinë
Demokracia
19:01 | 16 Shkurt 2021

Share:

U.d. presidentja Vjosa Osmani ka pranuar telegrame urimi për 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella.

Me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka marrë telegrame urimi nga Mbretëresha Elizabeth II e Mbretërisë së Bashkuar, presidenti gjerman Frank- Walter Steinmeier, presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai italian Sergio Mattarella, raporton Demokracia.com.

Ajo çka vihet re është se të gjithë liderët europianë kanë kërkuar nga qeverisja e re që të përkushtohen në dialog në mënyrë që të arrihet marrëveshja, por në të njëjtën kohë, kanë ofruar edhe mbështetje për këtë proces.

Në telegramin e Mbretëreshës Elizabeth II, ajo ka uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, duke shfaqur shpresën për tejkalimin e sfidave nga pandemia.

Kurse presidenti gjerman  Steinmeier, në telegram ka theksuar progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

“Reformat vendimtare dhe të qëndrueshme për forcimin dhe sundimin e ligjit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, edhe më tej janë qenësore për ta vazhduar këtë rrugë. Rifillimi i dialogut vitin e kaluar me ndërmjetësimin e BE-së, ishte një hap i rëndësishëm”, thuhet në telegramin e presidentit gjerman.

Edhe homologu i tij francez, presidenti Macron, duke uruar popullin e Kosovës për ditën e pavarësisë, ka potencuar rëndësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë.

“Unë do të doja të përshëndesja angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë që nga rifillimi i tij, pas takimit të nivelit të lartë, të cilin kancelarja Merkel dhe unë e mbajtëm më 10 korrik 2020. Unë mbështes plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit të posaçëm për dialogun, z.Mirosllav Lajçak, me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në telegramin e presidentit Macron.

Ndërkaq presidenti italian Mattarella, gjithashtu ka përgëzuar popullin e Kosovës në 13-vjetorin e pavarësisë, duke potencuar mbështetjen për procesin e dialogut me Beogradin. /Demokracia.com/

Të ngjashme