Lajme
Liderët e Ballkanit Perëndimor takohen nesër në Bruksel, mungon Albin Kurti
Demokracia
16:35 | 10 Maj 2022

Share:

Liderët e Ballkanit Perëndimor nesër do të marrin pjesë në darkë joformale në Bruksel të organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Joseph Borrell.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano thotë se bëhet fjalë për darka tradicionale, të cilën një herë në vit e organizon shefi i diplomacisë evropiane, shkruan Demokracia.com.

Sipas burimeve ndërkombëtare, fokus i kësaj darke do të jetë gjendja në Ukrainë dhe arritja e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Liderët e Ballkanit para darkës do të takohen veç e veç me Borrelin.

Në këtë takim do të mungojnë dy liderët kosovarë, sipas raportimeve. Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani gjenden jashtë vendit. Kurti ka disa ditë që është në SHBA, kurse Osmani në Panama dhe Kostarikë.

Kosovën në këtë darkë do ta përfaqësojë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Pjesë e darkës do të jenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija, si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Darka tradicionale e liderëve të Ballkanit Perëndimor e organizuar nga BE-ja për herë të parë është iniciuar nga ish shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini në mënyrë që t’i lehtësoj raportet në rajon dhe ta rris bashkëpunimin.

Është planifikuar që në fund të darkës, liderët e Ballkanit Perëndimor të mbajnë konferencë për media. /Demokracia.com/

Të ngjashme