Lajme
Largimi i masave nga BE, opozita skeptike për punën e Qeverisë për depërshkallëzimin e situatës në veri
Demokracia
21:14 | 16 Gusht 2023

Share:

Në fund të gushtit bëhen dy muaj që kur Kosova është nën masa nga Bashkimi Evropian, shkaku i tensioneve në veri. Anëtarët e Komisionit për Integrime, kanë dyshime në punën e qeverisë dhe synimin që të mbërrihet tek depërshkallëzmi.

Për shkak të disa veprimeve të Policisë së Kosovës në vëri, Kosova u ndëshkua nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

E për punën që po bëhet në largimin e masave dhe plotësimin e kërkesave të BE-së nga ana e qeverisë, dyshime kanë anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane.

Kryetarja e këtij komisioni, Rrezarta Krasniqi, këtë e ndërlidh me nismën që deri tek zgjedhjet në katër komunat në veri, të mbërrihet përmes peticionit.

“Nëse vendoset me shkua në zgjedhje ishte dashur të hiqen sanksionet, por nuk mundesh pasi ende nuk janë shpallur zgjedhjet dhe kryetarët vazhdojnë të jenë në ato komuna dhe procesi i peticionit do të merr kohë dhe do të vonojë procesin e shpalljeve të zgjedhjeve. Kryetarët e komunave në veri duhet të ulen e të dakordohen që të japin dorëheqje dhe që çdo gjë të shkojë më shpejtë”, ka deklaruar Rrezarta Krasniqi, kryetare e Komisionit parlamentar për Integrime nga radhët LDK.

Edhe anëtarja tjetër e këtij komisioni, Time Kadrijaj, përmend komplikimet nga ky proces.

“Sa është kushtetues dhe cila është forma që duhet të dorëhiqen apo të shkarkohen këta kryetarë nuk dihet pasi mund të kemi pasoja ligjore ose kushtetuese. Nëse kjo bëhet dhe e cenon kushtetutën ne serish do të kemi zvarritje të procesit”, ka deklaruar Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit parlamentar për Integrime nga AAK.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë muajit korrik ishte pajtuar në Bratisllavë që të realizoj kërkesat e BE-së për de eskalim të situatës në veri,  përmes largimit të policisë e shpalljes së zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

Deri tek zgjedhjet e reja në katër komunat në veri, synohet që të mbërrihet përmes peticionit, që parashihet në nenin 72 të Ligjit mbi vetëqeverisjen lokale, për çka Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka nisur punën në nxjerrjen e një udhëzimi administrativ.

Të ngjashme