Lajme
Lajçak u paraqit me hartën ku Kosova shfaqej si pjesë e Serbisë, ky është arsyetimi i BE-së
Demokracia
10:55 | 25 Shkurt 2021

Share:

I dërguari Special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në zyrën e tij mban një hartë ku Kosova shihet si pjesë e Serbisë.

I dërguari Special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë një interviste për Platformën EWB (European Western Balkans), u shfaq nga zyra e tij, ku vërehej një hartë ku tregon Kosovën pjesë integrale të Serbisë, madje as pa ndarjen administrative sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e mban në zyrë Miroslav Lajçak, raporton Demokracia.com.

Lexo edhe: 

Lajçaku e mban në zyre një hartë që e shfaq Kosovën pjesë të Serbisë

E në lidhje më këtë hartë të Lajçakut, ka reaguar zëdhënësi i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Peter Stano.

Stano në një replikë në rrjetin social Twitter, është munduar të sqarohet rreth kësaj harte, duke thënë se pretendimi që harta e shfaqur prapa shpinës së Emisarit Mirosllav Lajçak me Kosovën brenda territorit të Serbisë është i rremë.

Sipas tij, harta zyrtare e BE-së është në linjë me pozicionin neutral të BE-së për Kosovën.

“Pretendimi për hartën është tërësisht i pavend dhe i rremë. Kjo hartë zyrtare e BE-së është – në vijë me pozicionin e Flamurit të Bashkimit Evropian – neutrale ndaj statusit”, ka shkruar ndër të tjerash Stano.

Ai ka thënë po ashtu se në vend që të fabrikohen tregime të rreme të fokusohen tek çështja e dialogut.

“Do t’u rekomandoja të gjithëve që të përqendrohen në çështje të vërteta që ndihmojnë për ta avancuar dialogun për normalizim, në vend se të përpiqen të fabrikojnë tregime të rreme”, ka shkruar Stano. /Demokracia.com/

Të ngjashme