Lajme
Lajçaku e mban në zyre një hartë që e shfaq Kosovën pjesë të Serbisë
Demokracia
21:46 | 24 Shkurt 2021

Share:

Një hartë që e tregon Kosovën pjesë integrale të Serbisë, madje as pa ndarjen administrative sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, e mban në zyrë Miroslav Lajçak.

Kjo u vërejt kur i dërguari special i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë–Serbi, dha intervistë nga Brukseli për Platformën EWB (European Western Balkans), njofton Klan Kosova, përcjell Demokracia.com

Nga ajo zyrë Lajçak foli edhe për vizitën që pritet ta bëjë në Prishtinë e Beograd.

Në kryeqytetin e Kosovës emisari europian mes tjerash pritet ta takojë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për të cilin në raport me dialogun, diplomati ka shumë pritje.

Kjo ndonëse Kurti ka deklaruar se bisedimet me Serbinë janë prioriteti i katërt i qeverisjes së tij kur të bëhet kryeministër.

”Albin Kurti është një politikan serioz me mandat të fuqishëm për kohën që po vjen. Sa ishte Kryeministër ai hoqi tarifën dhe e beri te mundur vazhdimin e dialogut. Ai ishte pjesë e bashkëpunimit të suksesshëm me Serbinë për çështje të shëndetësisë.Unë kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me Albin Kurtin në krejt këtë periudhë. Natyrisht ai e di se cilat janë pritjet e Bashkimit Europian”, deklaroi Lajçak.

Në Vetëvendosje nuk kanë preferuar të flasin për takimin e liderit të tyre me Lajçak dhe pritjet që ai i ka për Kurtin duke thënë se deklarim bëjnë tek pasi që takimi të ndodh.

Ekspertja e çështjeve të bisedimeve kosovaro-serbe, Donika Emini thotë se Albin Kurti derisa ka kundërshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i thotë fare lehtë ”Jo”, Bashkimit Europian.

”Kjo edhe për shkak se BE-ja nuk i ka dhënë Kosovës akoma liberalizimin e vizave dhe ka qasje asimetrike ndaj këtij vendi”, tha mes tjerash, Emini.

Drejtoresha në platformën CIVIKOS po ashtu deklaroi se Lajçaku e Kurti krijuan afërsi, meqë sipas saj ata e kishin një armik të përbashkët politik e që ishte emisari Amerikan për Dialogun, Richard Grenell.

Takimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë në nivel liderësh është mbajtur në Bruksel me lehtësim e europianëve më 7 Shtator 2020.

Kjo vetëm tre ditë pasi në Washington palët nënshkruan marrëveshjen për normalizimin ekonomik, kumbar i së cilës ishte pikërisht Grenell.

Të ngjashme