Lajme
Lajçak: Refuzimi i takimit në Bruksel nga Kurti e Vuçiq, mund të ketë pasoja serioze
Demokracia
15:40 | 20 Qershor 2023

Share:

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se refuzimi i ftesës për takim nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandar Vuçiq, do të kishte pasoja serioze.

Ai ka përsëritur se pavarësisht deklaratave të tyre, Kurti dhe Vuçiq do të vijnë në takim.

“Nuk është që kanë arsye që të refuzojnë takimin. Pavarësisht deklaratave ata do të vijnë, në të kundërtën t’i thuash jo ftesës nga BE-ja do të kishte pasoja serioze dhe negative”, ka thënë Lajçak.

Lajçak shtoi se takimi do të mbahet shumë shpejt dhe do të fokusohet në menaxhimin e krizës aktuale.

Duke folur për kërkesën për zgjedhjet e reja në veri të Kosovës, Lajçak tha se ka dy mënyra: ose përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë në veri të Kosovës, apo përmes referendumit. Ai tha se të dyja do të ndiqnin ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

“Por, deri më tani nuk kemi parë vullnet politik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme”, theksoi ai.

Lajçak shtoi se tani për tani e rëndësishme është de-eskalimi.

“Nuk mund të kesh normalizim të plotë derisa ke me qindra njerëz në rrugë”, tha Lajçak.

Të ngjashme