Lajme
Lajçak për Kurtin e Vuçiq: Sa herë janë pajtuar për diçka, janë kritikuar nga shoqëritë e tyre
Demokracia
22:00 | 19 Prill 2024

Share:

Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak në një intervistë për “N1” në Sarajevë, ka folur në lidhje me procesin e dialogut mes dy shteteve. Ai ka thënë se shoqëritë në të dyja vendet duhet ta kuptojnë se pa normalizim të marrëdhënieve, nuk kanë një të ardhme evropiane.

Lajçak ka thënë se shoqëritë në Kosovë e Serbi, nuk kanë presion për normalizim:

“Epo, problemi kryesor është, procesi duhet të çojë në normalizimin e marrëdhënieve. Së fundi kërkova një takim me përfaqësues të OJQ-ve dhe mediave nga rajoni. I pyeta kush dëshiron normalizim? Dhe përgjigja ishte, ju, Bashkimi Evropian. Kështu që, problem është që është një proces që u mundësua nga BE-ja, por ne nuk e ndjejmë përpjekjen, presionin për normalizim nga shoqëritë, si në Kosovë, ashtu në Serbi.” – u shpreh ai.

Emisari evropian mes tjerash u shpreh se ka qenë dëshmitarë se si sa herë që dy liderët, kryeministri kosovar, Albin Kurti, e presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, janë pajtuar për diçka, kanë marrë kritika nga shoqëritë në vendet e tyre.

“Ne kemi një marrëveshje që s’e kemi pasur kurrë më parë, marrëveshjen e Ohrit, që është një rrugë e qartë. Por, unë kam qenë dëshmitar se sa herë që dy liderët, presidenti Vuçiq e kryeministri Kurti janë pajtuar në disa hapa drejt normalizimit, janë kritikuar nga shoqëritë e tyre. Pra, është e qartë, që elementi më i rëndësishëm është të kompletohet procesi, që të ndihmojmë shoqëritë që të kuptojnë se pa normalizim të marrëdhënieve, nuk ka të ardhshme evropiane.” – u shpreh ai.

Një prej pyetjeve që iu shtrua emisarit Lajçak në këtë intervistë, ka qenë edhe ajo se si e sheh rritjen e tensioneve mes dy vendeve gjatë mandatit të tij.

Këtu, diplomati sllovak u përgjigj se gjatë kësaj periudhe katër vjeçare, procesi ka qenë i ndarë në dy pjesë. Në atë pozitive, që është normalizimi, dhe në tjetrën, tensionet mes dy vendeve.

“Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian nuk ka qenë asnjëherë më gati për ta drejtuar ose ndërmjetësuar këtë proces. Por duhet të them, se për katër vite të mandatit tim, kemi qenë të ndarë në dy pjesë. Njëra ka qenë pozitive, kur kemi punuar në normalizim, por tjetra, që ka qenë më e madhe, ka qenë përballja me kriza, duke tentuar ta parandlaojmë eskalimin. Dhe natyrisht, nuk mund t’i kesh të dyja në të njëjtën kohë. Kështu që, shumë shpesh jemi detyruar ta ndalim proesin e normalizimit, sepse është dashur të përballemi me eskalimin në terren.” – tha ai.

Në fund, Lajçak përmendi se problem aktual me të cilin po përballen, është vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

“Dhe aktualisht, natyrisht, pyetja më e madhe është se si të përballemi me problemin, se si ta zbusim impaktin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, fatkeqësisht, ky është realiteti që është produkt i një besimi shumë të ulët mes dy shoqërive, mes Kosovës dhe Serbisë në përgjithësi.” – u shpreh ai.

Vlen të theksohet se përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell e ka nominuar Lajçakun për ambasador të BE-së në Zvicër. Atij, mandate si emisar i përfundon në gusht të këtij viti.

Ndërkaq, është raportuar se në këtë pozitë, synon të vijë Borut Pahor, ish-presidenti i Sllovenisë.

Të ngjashme