Lajme
Lajçak në Beograd
Demokracia
08:20 | 14 Nëntor 2023

Share:

Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, pritet të mbërrijë në Beograd të martën për t’u takuar me presidentin serb, Alekasandër Vuçiç, në funksion të vazhdimit të diskutimeve për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështje të tjera në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi do të mbahet në orën 11:00 në objektin e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Serbisë në Beograd, ka njoftuar të hënën presidenca serbe, por nuk janë dhënë detaje tjera në lidhje me vizitën e top-diplomatit sllovak, dy ditë para takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili është planifikuar të mbahet të enjten e 16 nëntorit.

Lajçak ka qëndruar edhe në Prishtinë javën e kaluar në kuadër të një vizite dyditore. Ai ka takuar shefin e ekipit negociator të palës kosovare, Besnik Bislimi, me të cilin ka arritur njëfarë pajtueshmërie për “hapat e radhës” në procesin e dialogut dhe zbatimin “pa vonesa e parakushte” të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit (Ohër, 18 mars).

Zyrtari i BE-së ka takuar në Prishtinë edhe përfaqësuesit e partive opozitare në vend. Misioni i tij të ka qenë hapja e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për udhëheqësit e partive opozitare – Partia Demokratike (PDK), Lidhja Demokratike (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – dhe informimi mbi dinamikën e re të procesit të dialogut.

Në përgjithësi, procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës. Në fakt, ishte bërë e ditur se dialogu po vijon në kushte konfidencialiteti për të krijuar rrethanat që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, porse këtë praktikë e ka kritikuar tejmase opozita kosovare.

E vizita e Lajçakut në Beograd vjen rreth dy javë pas ciklit të takimeve në kryeqendren evropiane, ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, janë takuar veç e veç me krerët e shteteve kryesore evropiane pas “stuhisë diplomatike” të emisarëve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në përpjekje për ripërtëritjen e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

BE-ja paraprakisht ka prezantuar një “draft modern dhe evropian” në lidhje me “instrumentin vetë-menaxhues” për serbët e Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, derisa Kosova dhe Serbia kanë dhënë pëlqimin e tyre dhe kanë pranuar të jetë kornizë për negociatat e mëtejshme. Por nuk janë pajtuar për modalitetet.

Përkundër se është ende herët të priten “rezultate spektakolare”, procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pritet të hyjë në fazën përmbyllëse. Duke qenë se për rezultate është herët të flitet, ekizton bindja e krerëve të shteteve evropiane se me armiqësi të reja nuk do të arrihen mësymjet politike, posaçërisht integrimet euro-atlantike të Kosovës e Serbisë.

E përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” do vazhdojë ditët në vijim, negociatat diplomatike nuk do të lejohen të kthehen në arsye për papajtueshmëri se sa për të zgjidhur problemet, kurse kryenegociatorët do të takohen pas dy jave në Bruksel për të diskutuar hapat e radhës në një mjedis të ndërmjetëm të kompromisit të negociuar.

Të ngjashme