Lajme
Lajçak: Ka ose normalizim, ose konflikt
Demokracia
09:41 | 11 Maj 2023

Share:

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak është deklaruar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, të zhvilluar mëngjesin e së enjtes.

Para gazetarëve Lajçak tha se me Kurtin ka diskutuar mbi procesin e normalizimit dhe hapat e mëtejmë pas takimit në Bruksel.

Ai ka shtuar se duhet të ketë qartësi për hapat e mëtejmë.

“Patëm një diskutim shumë intens, por shumë të rëndësishëm dhe të dobishëm me kryeministrin Kurti. Ne mund të kemi ose normalizim, ose konflikt. Sigurisht se ne duam të fokusohemi plotësisht në normalizim, prandaj duam të shmangim çfarëdo përshkallëzimi, nuk është në interesin e askujt”, shtoi Lajçak.

Lajçak ka thënë se ka dakordim për hapat që do të merren më tutje, ndërkohë që paralajmëroi se të premten do të jetë në Beograd.

“Erdha të diskutoj me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi rrugën përpara drejt normalizimit pas takimit të 2 majit. Është e rëndësishme që ne kemi kuptuar qartë sekuenca e hapave dhe ne kishim një diskutim të rëndësishëm në të gjitha aspektet. Të njëjtin diskutim do ta kem nesër edhe në Beograd”, tha Lajçak.

Lajçak bëri të ditur se sot do të takohet edhe me kryetarin e Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza.

“Ne diskutuam si BE-ja e sheh procesin e draftit të Asociacionit me Kurtin, dhe mendoj se e kemi të qartë këtë proces. Do të shkoj në veri pasi është në interesin tim pasi e shoh të nevojshme të takohem me kryetarin Hamza dhe ta shoh perspektivën e tij. Puna e ndërmjetësuesit është të gjejë mesin, dhe këtë po e bëj”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme