Lajme
Lajçak e Escobar: Policët e Kosovës të lirohen menjëherë
Demokracia
15:16 | 20 Qershor 2023

Share:

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kanë thënë se është kërkesë e partnerëve ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së që menjëherë të lirohen tre policët kosovarë, të kidnapuar nga Serbia.

Ata kanë refuzuar të japin ultimatume se deri kur duhet të lirohen policët, por kanë thënë se kërkojnë që kjo të ndodhë menjëherë.

Të dy janë shprehur “shumë të shqetësuar” për situatën në veri të Kosovës.

“Ne themi menjëherë. Pozicioni ynë është se nëse janë kidnapuar apo kanë hyrë gabimisht në territorin e Serbisë, s’e kanë pasur këtë qëllim. Ata duhet të kthehen”, ka thënë Escobar në “Atlantic Council” të martën.

Këtë qëndrim e përkrahi edhe Lajçaku.

Ky diskutim vjen dy javë pasi Escobar dhe Lajçak qëndruan në Kosovë dhe Serbi për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.

Ata i paraqitën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, ku përfshihet edhe mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Të ngjashme