Lajme
Reagon kryetari i gastronomëve: Vendim i papranueshëm, Qeveria po na rrëzon përtokë
Demokracia
20:23 | 21 Janar 2022

Share:

Sot u bë e ditur nga Qeveria e Kosovës se nga nesër do të hyjnë në fuqi masat e reja anti-Covid.

Në masat e reja bënë pjesë edhe kufizimi i orarit të shërbimeve të gastronomisë, ku me masat e reja do të lejohet puna e gastronomisë nga ora 05:00 deri në orën 21:00. Ndërsa, muzika do të lejohet vetëm deri në orën 20:30, shkruan Demokracia.com.

Për këto masa të reja ka reaguar Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi.

Kllokoqi për Demokracia.com ka thënë se sektori i gastronomisë po shkelet dhe në asnjë mbledhje nuk janë ftuar nga Qeveria për t’u konsultuar për masat e reja.

“Kjo është një shkelja më e madhe që po na bëhet neve si gastronomi, askush nga institucionet përkatëse nuk është konsultuar me neve. Ne gjithmonë i marrim lajmet nga mediat. Asnjëherë nuk jemi ftuar”, ka thënë Kllokoqi për Demokracia.com.

Ndër të tjera, ai ka shtuar se gastronomia po rrëzohet përtokë.

“Ky vendim është arbitrar, i njëanshëm dhe jo i pranueshëm për gastronominë e Kosovës, e cila çdo ditë e më shumë po rrëzohet përtokë. Ne kundërshtojmë fuqishëm këtë vendim dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë edhe më tutje çdo vendim që merret njëanshëm pa konsultim”, ka shtuar ai./Demokracia.com/

DOKUMENT| Këto janë masat e reja anti-Covid në Kosovë, rikthehet ora policore nga ora 22:00

 

Të ngjashme