Lajme
Kuvendi nisi punën “mbrapsht” dhe e përfundoi “dobët” për vitin 2022
Demokracia
21:34 | 28 Prill 2023

Share:

Pavarësisht se Rregullorja e Kuvendit e parasheh miratimin e Programit të punës, vitin e kaluar deputetët e Kuvendit e nisën punën pa e miratuar atë.

Jo vetëm në nisje, por edhe në vazhdimësi legjislativi po konsiderohet se nuk veproi si duhet, saqë puna e tij brenda 1 viti u vlerësua e dobët.

“Është përcjellë me joefikasitet dhe në secilën seancë plenare projektligjet janë bartur nga një seancë në tjetrën, për shkak të mungesës së kuorumit nga ana e shumicës parlamentare dhe mospjesëmarrjes së opozitës në procesin e votimit”, tha Naim Jakaj nga IKD.

Por, pavarësisht që në disa seanca edhe vetë kryetari i Kuvendit, kritikoi deputetët për mospunë, megjithatë të premten ai tha se këtë legjislaturë e konsideron si ndër më të mirat.
Mirëpo, opozita nuk ka mendim aspak të njëjtë me Konjufcën.

Sipas saj, kjo legjislaturë ka bërë ligjet më të dështuara deri më tani në historinë e vendit.

“Krejt po ju shkojnë në Kushtetuese. Me bo një zyrë të Gjykatës afër Kuvendit që me pasë më afër…”, tha deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.

Veç tyre, mungesës së kuorumit e gjuhës joparlamentare, opozita ka edhe një ankesë tjetër.

“Nëse ka diçka që më pengon më së shumti është gjuha e veprimet joparlamentare. Dal unë me folë diçka, e kap najfarë muhabeti tjetër Kurti me Besnik Bislimin, ja nisin folin aty diçka”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri për ATV.

Me një punë jo të mirë është vlerësuar edhe 3-mujori i parë i këtij viti, i punës së legjislativit.

54 pika të rendit të ditës, ndër to edhe 19 projektligje, nuk janë përfunduar në vitin 2022, të cilat rrjedhimisht kanë mbetur të trajtohen në seancat plenare të vitit 2023. Numri i tyre, ndërkaq, po vjen duke u shtuar, për shkak të mungesës së kuorumit e dështimit të seancave.

Të ngjashme