Kanë kaluar 13 ditë nga shkarkimi i Pëllumb Bajqinovcit nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe subjektet politike po përflitet se i kanë siguruar numrat për emërimin e kryesuesit të ri, shkruan Demokracia.com.
Partitë opozitare në Prishtinë javë më parë e kanë shkarkuar Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Demokracia.com ka mësuar se asnjëra prej partive opozitare nuk do të paraqesë kandidat të vetin për kryetar.
Si kandidat konsensual i partive opozitare mësohet se do të propozohet Fehmi Kupina.
Mësohet se në mëdyshje për këtë propozim është vetëm Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila është në diskutim edhe me LDK-në për një marrëveshje të përbashkët. Megjithatë, edhe me 5 asamblistët e AAK-së, partia në pushtet që ka vetëm 14 këshilltarë komunalë, e ka shumë më të vogël numrin e asamblistëve sesa partitë e tjera opozitare.
“Seanca është thirrur për të enjten dhe besojmë se kandidat i vetëm do të jetë Fehmi Kupina, i cili ka kaluar si i pavarur”, kanë bërë të ditura burime për Demokracia.com.
Fehmi Kupina ka qenë Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës për një kohë të gjatë dhe pasi kishte pakënaqësi më LDK-në, të cilës i ka shërbyer disa dekada, kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit për të kaluar si këshilltar i pavarur. /Demokracia.com/