Lajme
Kushtëzimi i KiE-së me Asociacionin nga Franca e Gjermania po ndodh me pajtimin dhe bekimin e plotë të Qeverisë
Demokracia
18:47 | 24 Prill 2024

Share:

Qeveria e Kosovës duke pranuar fillimisht Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit e më pastaj duke u zotuar për zbatimin e plotë të saj përmes një letre dërguar raportueses për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, e ka trasuar rrugën që Franca dhe Gjermania të dalin me një qëndrim unison duke kushtëzuar anëtarësimin e Kosovës në KiE me procedimin tutje të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – të paktën dërgimin e draft-statutit të këtij mekanizmi në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim – vlerësojnë analistët politik.

Për sociologun, Shkodran Ramadani, Qeveria e Kosovës me vetëdije të plotë ka zbatuar një qasje që pashmangshmërisht do të rezultonte me krijimin e një blloku unitar në bashkësinë ndërkombëtare, ku domosdoshmëria e Asociacionit bëhet qëndrim konsensual i të gjithë tyre.

“Kërkesat për hapa konkretë në drejtim të themelimit të Asociacionit nuk po vijnë thjesht si presion i pajustifikueshëm nga jashtë, por si zotim i marrë vullnetshëm nga vetë Qeveria e Kosovës në Marrëveshjen e 2023 në Bruksel, në Aneksin e Zbatimit në Ohër, në Planin e Sekuencimit dhe së fundmi në letër-zotimin dërguar Këshillit të Evropës nga Kryeministri, Presidentja dhe Kryekuvendari”, thotë Ramadani për Albanian Post.

Me konstatimin se ky transaksion Asociacion – Këshilli i Evropë është i paarsyeshëm dhe i dëmshëm për Kosovën, Ramadani potencon se kjo gjë po ndodhë me pajtimin dhe bekimin e plotë të Qeverisë së Kosovës.

“Zajednica po vjen sepse kështu është zotuar kryeministri i vendit”, shton ai.

Në të njëjtën linjë të mendimit me Ramadanin është edhe ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, i cili konstaton se nevoja e ndërmarrjes së një hapi substancial në raport me Asociacionin vis-a-vis procesit të anëtarësimit të Kosovës në KiE është theksuar qartësisht edhe në opinionin e raportueses për Kosovën në këtë organizatë ndërkombëtare, Dora Bakoyannis.

“Në pikën 39 të këtij raporti kërkohet saktësisht që kur Komiteti i Ministrave ta shqyrtojë anëtarësimin e Kosovës në KiE themelimi i Asociacionit të figurojë si çështje e veçantë. Forma se si zbatohet pastaj kjo pikë mbetet vendim i Komitetit”, thotë Ymeri për Albanian Post.

Zotimi i krerëve institucional të Kosovës dërguar raportueses Bakoyannis se do t’i respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit përfshirë edhe themelimin e Asociacionit, sipas Ymerit, ndoshta do të ishte i mjaftueshëm për Perëndimin që të pranojë përfundimisht Kosovën në Këshillin e Evropës, por në vlerësimin e tij, në sytë e shteteve të QUINT-it, Kurti aktualisht nuk ka kredibilitet.

“Prandaj vendet e QUINT-it kanë vendosur që të kërkojnë veprim të paprapakthyeshëm në drejtim të themelimit të Asociacionit, ashtu siç e kishte përmendur Presidenti Macron në bisedën telefonike me Kurtin”.

Andaj Ymeri beson se Kurti përfundimisht do ta procedojë draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese, por gjithmonë duke treguar rezistencë për qëllime propagandistike për konsum të brendshëm.

“Kurti po arrin që me sjelljen e vet taktike ta bëjë presionin ndërkombëtar të dukshëm në mënyrë që të shfajësohet pastaj për koncesionet e bëra”, potencon ai.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të martën, zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast është diskutuar anëtarësimi potencial i Kosovës në Këshillin e Evropës, njoftoi Zyra e Presidentit të Francës përmes një komunikate për media.

Macron gjatë bisedës ndërsa përshëndeti Kurtin për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton zbatimit të Asociacionit, sidomos në kontekstin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidenti i Republikës përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit. Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton, edhe në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në njoftimin e Pallatit Elysee.

Të martën pas Francës edhe Gjermania kërkoi që Kosova të bëjë një hap të prekshëm në raport me Asociacionin, kur në pyetje është anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë për KTV potencoi se hap i prekshëm në këtë rast është dërgimi i draft-statutit të Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

“Nuk do mend që çështja e Asociacionit duhet të trajtohet nga Qeveria e Kosovës, sa më shumë që bënë para votimit në Këshillin e Evropës aq më shumë do t’i bindë qeveritë që mbase janë skeptike për të votuar në favor të Kosovës”, ka potencuar ai.

Mos ndërmarrja e asnjë hapi në këtë drejtim, sipas vlerësimit të Rohde, nuk është opsion i mirë.

“Ju duhet ta bëni atë dhe ajo që na duhet është një hap i prekshëm, jo zbatimi, zbatimi i plotë është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, por nëse dëshironi të hyjni diku ju duhet të bëni një hap të prekshëm, pra ta dërgoni këtë draft-statut te Gjykata Kushtetuese për shqyrtim”, ka shtuar ai.

Të ngjashme