Lajme
Kush është kompania serbe GEN-I, që e pagoi Martin Berishajn?
Demokracia
13:30 | 22 Prill 2022

Share:

Bojan Pozhar, gazetar dhe moderator në Slloveni, ka deklaruar sot se nëse vërtetohet përfshirja e Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në skandalin financiar atje, atëherë bëhet fjalë për një “top skandal në Ballkan”.

Pozhar ka deklaruar se skandali merr formë të plotë me faktin se Berishaj nuk është vetëm një biznesmen, por edhe diplomat i shtetit të Kosovës.

“Nëse paratë e GEN-it (kompanisë serbe) për Robert Golob i ka transferuar vërtet Martin Berishaj, përndryshe diplomat nga Kosova, atëherë ky është një top skandal në Ballkan. Sepse, MB është edhe ambasador i Kosovës në Kroaci”, shkroi Pozhar në Twitter, përcjell Demokracia.com.

“Çmenduri, çfarë afere”, ka vijuar Pozhar, i cili moderon një emision televiziv në Planet TV, televizion që publikoi hulumtimin mbi përfshirjen e dyshuar të Martin Berishajt në skandalin financiar.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro CASH nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Paraprakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting në pronësi të Martin Berishajt, i kishte pranuar nga një kompani energjetike serbe, GEN-I.

MB Consulting është kompania malazeze me pronar ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Kjo kompani, shkruajnë mediat sllovene, ishte e angazhuar për konsulencë nga kompania energjetike ballkanike me degë në Serbi, GEN-I.

Shërbimi kryesor që MB Consulting me veç një punëtor të regjistruar, vetëm Martin Berishajn, që i jepte kompanisë GEN-I, ishte konsulenca dhe përfaqësimi “në shitjen me shumicë të energjisë elektrike në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë”.

Pra, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, respektivisht kompania e tij, është përfaqësues i degës serbe të kompanisë GEN-I në Kosovë dhe në Shqipëri, sipas publikimeve në mediat sllovene.

Kush është kompania serbe, GEN-I?

Sipas asaj që shkruan në uebfaqen e kompanisë serbe GEN, për të cilën përflitet se është i përfshirë edhe ambasadori Martin Berishaj, kjo kompani operon në më shumë se 20 vende, përcjell Demokracia.com.

“Duke operuar në më shumë se 20 vende, ne lidhim vende nga Gjermania dhe Franca në perëndim, deri në Gjeorgji dhe Turqi në lindje. Prania jonë globale në tregjet me shumicë të energjisë elektrike na lejon të arrijmë sinergji të shumta me njohuri të detajuara të tregut, staf të kualifikuar që merret me tregtimin e energjisë elektrike, organizim efikas dhe procese biznesi që përputhen me standardet më të larta”, thuhet në uebin e kësaj kompanie, raporton Demokracia.com.

Kjo kompani figuron se e ka një degë edhe në Kosovë.

Demokracia.com ka gjetur se dega e GEN-I-t në Kosovë është e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë.

Të kontaktuar nga Demokracia.com, zyrtarë të degës së kësaj kompanie në Kosovë kanë thënë se drejtori i tyre është slloven.

Emri i degës se GEN-it serb në Kosovë është GEN-I Tirana SHPK. GEN-I ka zyre edhe në Tiranë, po ashtu.

“Me një rritje mesatare të të ardhurave prej 20.2% në periudhën 2008-2019, ne jemi një nga kompanitë me rritje më të shpejtë në tregun evropian të energjisë”, thuhet në ueb.

Kompania thekson se ka të ardhura 2.204 miliardë euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme