Lajme
Kush është Danijela, “shefja e Asociacionit” – politikanja e Vuçiqit që kërkonte sanksionimin e Kurtit
Demokracia
13:11 | 07 Prill 2023

Share:

Qeveria e Kosovës, sipas zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, nuk do të marrë pjesë në hartimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, në një intervistë për Kallxo.com, tregoi se draft-statuti do të hartohet nga Ekipi Menaxhues, i udhëhequr nga deputetja serbe, Danijela Vujiçiq.

Ekipi Menaxhues përveç deputetes së Kuvendit të Serbisë do të jetë i përbërë nga katër serbë të tjerë, të cilët do të përgatisin një draft-statut fillestar mbi të cilin më pastaj Kosova dhe Serbia do të negociojnë.

Por, kush është Danijela Vujiçiç, “shefja e Asociacionit”?

Danijela Vujiçiq, u zgjodh si ligjvënëse në Kuvendin e Serbisë në Zgjedhjet Parlamentar të vitit 2020 nën siglën e Partisë Progresive Serbe – e udhëhequr nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Deputetja serbe me origjinë nga Kosova është aktive në jetën politike që nga viti 2001, kur iu bashkua partisë së qendrës së djathtë në Serbi “G17 Plus”. Ajo shërbeu si përfaqësuese e kësaj partie në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut deri në vitin 2013.

Vujiçiç e cila nisi karrierën e saj politike në Kosovë, në vitin 2013 udhëhoqi listën zgjedhore të Iniciativës Qytetare “Srpska” në Mitrovicën Veriore në Zgjedhjet Lokale – Zgjedhjet e para Lokale që u mbajtën në komunitet serbe të Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013.

Ndonëse Lista e Vujiçiç nuk korri sukses, pasi Lista Serbe morri gjashtë mandate duke lënë pas Iniciativën Qytetare “SDP” të ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç, ajo u zgjodh si asamblistë.

Vujiçiç në Zgjedhjet Komunale të vitit 2017 garoi si përfaqësuese në Listën Serbe.

Lista Serbe ani pse arriti një fitore absolute në Veri, Vujiçiç fillimisht nuk arriti të zgjidhet si asambliste, por më pastaj fitoi një mandat së zëvendësuese për një anëtar tjetër të Listës Serbe.

Vujiçiq, tashmë si deputete në Kuvendin e Serbisë është anëtare e Komisionit për Punë, Çështje Sociale dhe Ulje të Varfërisë, zëvendës-anëtare e të ashtuquajturës Komisioni për Kosovën si dhe zëvendës-anëtare të Komisionit për Integrime Evropiane.

Ajo gjithashtu përfaqëson Serbinë si zëvendës-anëtare e delegacionit të Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Vujiçiq kërkonte sanksionimin e Kurtit

Më 9 dhjetor të vitit të kaluar Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, James Cleverly, kishte njoftuar për një valë të re sanksionesh ndaj aktorëve të korruptuar dhe ata të cilët shkelnin dhe abuzonin të drejtat e njeriut, si dhe autorët e dhunës seksuale në mbarë botën.

Në listën e të sanksionuarve ishin edhe politikanët dhe biznesmenët serbë që veprojnë në Kosovë, Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët Qeveria e Britanisë së Madhe i kishte përshkruar si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale.

Disa orë pasi Britania e Madhe i futi Milan Radoiçiç’in dhe Zvonko Veselinoviç’in në Listë të Zezë, Vujiçiç kishte thënë se në vend të tyre, Londra do të duhej të sanksiononte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili sipas saj “ishte shkelësi më i urryer i të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Pesë kriteret e Bislimit për statusin e Asociacionit

Besnik Bislimi, të enjten gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme, kishte thënë se ka një pajtim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere, përmes së cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim draft i statutit që do të propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit.

“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Bislimi përmendi gjithashtu edhe tri kriteret tjera.

“Në ç’masë është [drafti i statutit] në harmoni në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”, vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, tha ai.

Sipas tij këto pesë siguresa do të jenë të mjaftueshëm të tregojnë se “vetëmenaxhimi i serbëve” nuk ka lidhje me “Zajednicën”./Albaniapost.com/

Të ngjashme