Lajme
“Kurtit i ka bërë shoqëri në qeli dhe i ka sjellë libra” | A do të dëshmojë Albin Kurti në mbrojte të gardianit serb të dyshuar për tortura ndaj të burgosurve?
Demokracia
15:58 | 28 Maj 2024

Share:

“Nga ana e tij, ai [Albin Kurti] duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm, Albin Kurti, të cilit [Dragisha Milenkoviqin si të pandehur] Ii ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar një kohë në biseda”.

Kjo është kërkesa e avokatit Dejan Vasiq, e bërë më 12 gusht 2023, pak kohë pas arrestimit të klientit të tij, Dragisha Milenkoviq, nën dyshimin për krime lufte, shkruan Demokracia.com.

Një kërkesë e ngjashme nga avokati i njejtë është paraqitur edhe më 28 maj 2024 gjatë procesit gjyqësor ndaj ish-gardianit serb.

“Kam dërgu propozim përmes parashtresës për dëgjim të dëshmitarit Albin Kurti në Prokurori dhe Gjykatë. Albin Kurti e njeh të pandehurin dhe e di shumë mirë sjelljen dhe veprimet e tij ndaj të burgosurve të atij burgu”, tha avokati Vasiq të martën.

Lidhur me këtë propozim, prokurori special, Atdhe Dema ka thënë se nuk e ka parë të nevojshme të intervistohet Kurti, por sipas tij i mbetet gjykatës të vendos për këtë.

https://demokracia.com/kryeministri-albin-kurti-ftohet-si-deshmitar-nga-mbrojtja-e-serbit-te-akuzuar-per-krime-lufte/

A DO TA PRANOJË KRYEMINISTRI KURTI FTESËN E SERBIT TË DYSHUAR PËR KRIME LUFTE QË TË DËSHMOJË?

“Kërkesës për dëgjimin e dëshmitarëve në Prokurorinë Speciale ia kam bashkangjitur aplikacionin që e kam bërë në zyren e Qeverisë,” – bënte të ditur avokati i të akuzuarit Milenkoviq, në gushtin e vitit 2023.

Që nga ajo kohë, nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe nuk dihet se si do t’i përgjigjet kërkesës së të akuzuarit për krime lufte.

Kryeministri Kurti nuk ka treguar nëse janë të vërteta pretendimet e gardianit serb se ai “i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli dhe i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar një kohë në biseda”.

https://demokracia.com/gardian-ne-kohen-kur-kurti-ishte-i-paraburgosur-a-do-ta-pranoje-kryeministri-ftesen-e-serbit-te-dyshuar-per-krime-lufte-qe-te-deshmoje/

Më 21 qershor 2023, Policia e Kosovës kishte arrestuar në Graçanicë, Dragisha Milenkoviqin, nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile.

AKUZAT KUNDËR GARDIANIT SERB, MILENKOVIQ

Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Ljubomir Çimburoviç, ish-drejtor i Burgut të Qarkut në Prishtinë, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, ish-gardianë të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, kabllo elektrike, gypa të ujit, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke iu shkaktuar lëndime trupore, ashtu siç e shpjegojnë vetë viktimat, se pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për gati një javë, i kanë kanosur seriozisht për jetë e si pasojë e kësaj dhe rrahjeve të vazhdueshme kanë pësuar gjendje ankthi dhe frikë.

Aktakuza thotë se Milenkoviq, nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999, në Burgun e Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve në fjalë Çimburoviç, Bradiq dhe Iviq, pasi i kanë transferuar të burgosurit shqiptarë nga Burgu i Dubravës në Burgun e Lipjanit, fillimisht kishin formuar kordon në hyrje të burgut nga të dyja anët, ku të burgosurit ishin detyruar që të kalonin përmes kordonit, e pastaj kishin filluar që t’i godasin me mjete të ndryshme si shkop gome, grushte e shqelma.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pas kësaj në mënyrë sistematike kishin keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke torturuar në mënyrë ç‘njerëzore, maltretuar, shkaktuar lëndime trupore dhe siç e shpjegojnë vetë viktimat, pas këtyre rrahjeve kishin pasur dhimbje të mëdha në gjithë trupin, dhunë psiqike, i kanë lënë pa ngrënë për ditë të tëra, i kanë ofenduar e sharë dhe i kanë kanosur seriozisht për jetë se do i vrasin të gjithë, veprime këto të cilat kanë shkaktuar gjendje ankthi dhe frike tek ata.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.

Milenkoviq ngarkohet edhe se në shtëpinë e tij më 21 qershor 2023, në Graçanicë, gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, policia ka gjetur një pistoletë, fishekë, karikatorë, thikë, shufër metalike.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. / Demokracia.com /

Të ngjashme