Lajme
Gardian në kohën kur Kurti ishte i paraburgosur: A do ta pranojë kryeministri ftesën e serbit të dyshuar për krime lufte që të dëshmojë?
Demokracia
10:26 | 13 Gusht 2023

Share:

Në kohën kur kryeministri Albin Kurti ishte i paraburgosur në ish-Gjykatën e Qarkut në Prishtinë gjatë kohës së luftës, aty gardian ishte Dragisa Milenkoviq. Ky i fundit tash po akuzohet për krime të luftës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Avokati i Milenkoviq, Dejan Vasiq, ka thënë se klienti i tij gjatë kohës kur Kurti ishte në paraburgim aso kohe, ishte shoqëruar me të. Madje, i kishte sjellur edhe libra.

Si rezultat, mbrojtja e serbit të dyshuar për krime lufte e ka propozuar në gjykatë thirrjen e kryeministrit Kurti si dëshmitar, për të treguar sjelljet e mira të Milenkoviqit.

Serbët e Kosovës / Avokati Vasiq: I paraqitëm kërkesë Qeverisë që Kurti të dëshmojë për Millenkoviqin e dyshuar për krime lufte
“Sot prokurori special që vepron në Prishtinë e ka dëgjuar Dragisha Milenkoviqin si të pandehur dhe me këtë rast në bashkëpunim, që nga fillimi, më duhet të them se ka qenë i jashtëzakonshëm me prokurorin që vepron në këtë rast, jemi marrë vesh, gjegjësisht jemi koordinuar për dëgjimin e dëshmitarit special të mbrojtjes, kryeministrit aktual të Kosovës të z.Albin Kurti, i cili ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë. Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ka kaluar një kohë në biseda.” – citohet të ketë thënë ai, raportoi dje gazeta serbe Danas.

Avokati tutje ka deklaruar se shpreson që Kurti t’i përgjigjet ftesës për të dëshmuar.

“Shpresoj që kryeministri të ketë disi një memorie të mirë të asaj kohe, duke konsieduar se këto ishin disa momente dramatike në jetën e tij…” – ka thënë ai.

“Jam absolutisht i sigurt se kryeministri do të jetë i lumtur të shfaqet dhe shpresoj vetëm që kujtimet e tij për atë periudhë të jenë ende të freskëta”.

E pak ditë më parë, avokati serb bëri të ditur se e ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën.

“Kërkesës për dëgjimin e dëshmitarëve në Prokurorinë Speciale ia kam bashkangjitur aplikacionin që e kam bërë në zyren e Qeverisë,” – u shpreh ai duke thënë se pret përgjigje pozitive.

Megjithatë, deri më tash nuk ka pasur shumë reagime lidhur me këtë propozim të mbrojtjes së Milenkoviqit. Nuk dihet nëse Kurti do ta pranojë ftesën që të shkojë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe të jap dëshmi lidhur me serbin Dragisa Milenkoviq. Ftesa atij sipas mbrojtjes, pritet t’i dërgohet gjatë ditëve në vijim.

Graçanicë / Protesta në Graçanicë: Policia njofton për bllokimin e rrugës
Milenkoviq po dyshohet se si gardian i burgut ka kryer krime të luftës në periudha të ndryshme gjatë viteve 1998-1999. Kështu kishte bërë të ditur edhe Policia e Kosovës kur kishte sqaruar për arrestimin e Milenkoviq.

“Ndaj të njëjtit janë siguruar prova për ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në cilësi të personave zyrtar (gardian të burgut) në Prishtinë dhe në paralelen e ndarë nga Prishtina konkretisht në burgun e Lipjanit, në mënyrë sistematike, dyshohet se kanë ushtruar torturë, dhunë fizike, psikike, keqtrajtime dhe maltretime çnjerëzore dhe të skajshme për jetën ndaj të burgosurve shqiptarë.” – kishte deklaruar Policia e Kosovës.

Gjatë arrestimit, të dyshuarit i ishte sekuestruar një armë zjarri, 136 fishekë, një thikë ushtarake, një shifër metalike, dhe dokumente, vendime, telefon personal e të tjera.

Pas arrestimit të tij, në Graçanicë kishte pasur protesta për ditë me radhë.

Të ngjashme