Lajme
Kurti vazhdon të mburret: Vizita ime në SHBA është më e gjatë se e çdo kryeministri të Kosovës
Demokracia
19:10 | 15 Maj 2022

Share:

Gjatë qëndrimit në Chicago, të shtetit Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ftesë të Katedrës së Albanologjisë “Hidai Eddie Bregu”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vizitoi Universitetin DePaul, ku mbajti edhe një ligjëratë të hapur.

Kurti iu drejtua të pranishmëve me një fjalë, pas së cilës diskutoi me studentë e profesorë.

Ai falënderoi organizatorët për ftesën dhe mundësinë që të flas para tyre për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit.

Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, ai tha se imazhet nga kjo luftë për neve janë veçanërisht të dhimbshme.

“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, tha Kurti.

Ai shtoi se kjo është arsyeja pse Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj që nga dita e parë e sulmit.

“Ne ishim të parët që iu bashkuam sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Federatës Ruse. Ne nuk hezituam të shprehim gatishmërinë tonë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë dhe ofruam strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas, prej të cilëve zonja Lyudmila Makey tashmë është banore e Prishtinës, kryeqytetit të Kosovës”, vazhdoi Kurti.

Sa i përket përpjekjes së Kremlinit për të përdorur Kosovën si një precedent për veprimet e Rusisë në Ukrainë, Kurti tha se nuk është gjë tjetër veçse një gënjeshtër, nuk ka dëshmi të dhunës sistematike kundër rusëve etnikë në Ukrainë, dhe se krahasimi me Kosovën është shumë i largët për të pasur ndonjë vlerë kritike.

“Të përdorësh Kosovën si shembull për të justifikuar ndërhyrjen në Ukrainë nuk është gjë tjetër veçse injorancë dhe sulm i drejtpërdrejtë ndaj së vërtetës, njerëzimit dhe mendjes së shëndoshë. Tregon një shpërfillje të plotë për të drejtën ndërkombëtare dhe për përgjegjësinë për të mbrojtur normat jetike ndërkombëtare që synojnë të sigurojnë që komuniteti ndërkombëtar nuk do të dështojë më kurrë në ndalimin e krimeve të gjenocidit, krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit”, theksoi Kurti.

23 vite pas intervenimit të NATO-s në Kosovë, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme”, nënvizoi ai, ndërkaq tha se zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putini do të dëshironte. “Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij ndaj vendit tonë”, shtoi Kurti.

Në përmbyllje të ligjëratës, kryeministri Kurti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja është e fuqishme edhe për shkak se që të dy shtetet ndajnë vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë dhe bindjen e thellë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe duhet të kenë të drejtë të barabartë për të kërkuar lumturinë, lirinë dhe autonominë për të ndjekur të vërtetën.

“Një javë më parë fillova këtë vizitë të planifikuar prej kohësh në Shtetet e Bashkuara. U ndala në Uashington DC për një takim me Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe vazhdova drejt perëndimit për në Kaliforni, dhe tani po kthehemi përsëri, në një imitim të ndonjë udhëtimi të madh rrugor amerikan.Deri më tani kemi qenë në San Francisko, Dallas, Des Moines dhe do të kemi disa vizita të tjera në Detroit, Uashington, Boston dhe Nju Jork, duke e bërë këtë vizitën më të gjatë që një kryeministër i Kosovës ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara”, tha tutje Kurti.

Të ngjashme