Lajme
“Kurti t’i ndalojë masat e dhunshme” – Qortimi i vitit 2023
Demokracia
21:07 | 01 Janar 2024

Share:

I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që t’i ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme…”

Ishte ky njëri prej qortimeve më të ashpra të këtij viti. Madje, ndoshta edhe i gjithë dekadës së fundit.

E kjo nga askush tjetër përpos Shteteve të Bashkuara të Amerikës e nga hiç më pak se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili reagimin e publikoi në llogarinë e tij në Twitter, që do të pasohej me një komunikatë më të gjatë e më goditëse.

Pse kishte ardhur puna deri këtu?

Tensionimi i situatës në veri shkaktoi reagime të ashpra e të njëpasnjëshme nga partnerët më jetikë të vendit, përfshirë edhe aleaten më të madhe – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Nacionale gjatë vitit në vazhdimësi kishte raportuar për situatën atje, por edhe për reagimet që po vinin. Pak pasi hymë në vitin 2023, ishte zhvilluar një bisedë telefonike mes sekretarit Blinken e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Amerikani, përmes një postimi në Twitter, do të njoftonte se e kishte falënderuar Vuçiqin për “angazhimin konstruktiv” sa i përket propozimit franko-gjerman.

Bisedova me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot për ta falënderuar për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin SHBA – BE javën e kaluar dhe për qasjen e hapur të tij ndaj propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, i cili është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë”– kishte thënë ai në shkrimin e 2 shkurtit.

Më 17 shkurt, Blinkeni e uroi shtetin e Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë. Për herë të parë, aty përmendet njohja reciproke eventuale me Serbinë, pra varësisht prej zhvillimit të ngjarjeve, gjë që kishte shkaktuar shumë reagime. Këto tone i jepnin jehonë një “humbjeje të ambicies” nga bashkësia ndërkombëtare, ShBA-ja duke qenë për Kosovën përfaqësuesja më e lartë e komunitetit trans-atlantik.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja e ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik…” – thuhej në komunikatën e DASh-it.

Një ditë më pas, do të njoftohej për një takim mes sekretarit Blinken e presidentit serb, Vuçiq, në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ky i fundit pretendonte që në takim “ishte konfirmuar përmirësimi i marrëdhënieve bilaterale mes Serbisë e ShBA-së”.

Vlen të theksohet se në ngjarjen e njëjtë, po atë kohë, ndodheshin edhe dy krerët e Kosovës, kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani, por nuk kishte pasur takim të asnjërit prej tyre me sekretarin Blinken.

Ky “injorim” lidhej me kërkesat e qarta të ShBA-së ndaj Kosovës për çështje të asaj kohe, si targat ilegale, si dhe për Asociacionin.

Gjerë e gjatë, Nacionale e shpjegonte krejt këtë situatë në një artikull të shkurtit të vitit 2023, të titulluar “‘Katastrofa’ e Mynihut për Kosovën: Pse shpërfillja e Blinken dhe Harris për Kurtin e Osmanin dhemb më shumë?”.

Më 19 mars 2023, Blinkeni sërish do t’i përmendte Kosovën e Serbinë, pas pajtimit apo Marrëveshjes së Ohrit. Mes tjerash, ai shprehej: “Ne i përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje.”

Goditja

Pas dy muajsh, reagimi do të ishte krejt tjetër: i ashpër, goditës. Më 26 maj të vitit 2023, kryetarët e rinj të komunave në veri u instaluan me një aparaturë të tërë policore në objektet komunale për ta kryer punën.

Atë kohë, serbët lokalë i kishin lëshuar “uzbunat”, ishin grumbulluar dhe e kishin bllokuar hyrjen nëpër objekte. Kështu, ishte detyruar të ndërhynte njësia speciale e Policisë së Kosovës.

Nuk vonoi shumë, mes shumë zyrtarëve reagoi edhe pikërisht vetë Blinkeni. Ai do të përmendte “masa të dhunshme”, ai madje do ta etiketonte kryeministrin Albin Kurti me emër e mbiemër për t’i bërë thirrje që t’i ndalonte ato veprime.­­

”O Freunde, nicht diese Töne!‘ – kështu mbase do të kishin tingëlluar këto “tone” nga “miqtë” tanë.

“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”– kishte shkruar Blinkeni.

Nuk do të përfundonte me kaq; do të publikohej edhe një komunikatë në faqen zyrtare të Departmanetit të Shtetit. Aty, do të paralajmërohej se zhvillimet mund të kishin edhe pasoja për marrëdhëniet dypalëshe ShBA – Kosovë.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”– thuhej në reagim.

Pooor krejt këto reagime e deklarata të sekretarit Blinken kryeministrit tonë, Kurtit, i ishte dukur “naive”.

E madje madje, Kurti në “The Guardian” jo vetëm që e kishte quajtur “naiv”-itet deklarimin e Blinkenit, por edhe shpresonte që “ndonjëherë” ose “dikur” mbase “Blinken-it do t’i duhet ta shpjegojë atë” se pse ishte shprehur ashtu.

Për fund, Bashkimi Evropian, pas zhvillimeve në veri, vendosi masa politike e financiare ndaj Kosovës, ndërsa ShBA-ja na përjashtoi nga programi “Defender 23”.

E këto masa të Uashingtonit në maj u pasuan edhe nga Brukseli në qershor.

Pjesa tjetër është histori e ndërmjetme.

Të ngjashme