Lajme
Kurti thotë “Kosova është storie suksesi” me progres ekonomik e Sveçla “jemi vendi më i varfër në Evropë”
Demokracia
19:15 | 20 Janar 2024

Share:

Qeveria Kurti për të dalë mirë në publik, shpeshherë bie në kundërshtim me vetveten.

Pushtetarët edhe në muajin e parë të vitit 2024 nuk janë koordinuar dhe kanë rënë në kundërshtim me njëri-tjetrin, shkruan Demokracia.com.

Kështu ka ndodhur me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin Xhelal Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje mbajti fjalën hyrëse në panelin e diskutimit “Përputhja e financave me nevojat”, organizuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos.

Në fjalimin e tij, Kurti tha se Kosova është storie suksesi.

Në një komunikatë për media të zyrës së tij thuhet se kryeministri Kurti potencoi se Kosova është një histori suksesi dhe një vend që e ka ndërtuar veten në një demokraci edhe me ndihmën e miqve ndërkombëtarë.

Kurti kishte shtuar se sidomos në vitet e fundit, vendi ka treguar se progresi ekonomik dhe demokratik ecin krah për krah, duke theksuar se qëndrueshmëria është thelbësore për sukses të vazhdueshëm dhe stabilitet institucional.

“Një vend përparon kur progresi ndihet nga qytetarët dhe kjo kombinohet me stabilitetin institucional. Pra, stabiliteti institucional qëndron më lart se stabiliteti politik dhe mundëson përparimin dhe qëndrueshmërinë e një progresi të tillë”, ishte shprehur kryeministri Kurti.

Por, ndërkohë që Kurti flet për progres ekonomik, ministri Xhelal Sveçla që po përballet me kërkesat e policisë për rritjen e pagave dhe shtesave, sërish ditë më parë shkoi në ekstremin e tij se Kosova është vendi më i varfër në Evropë.

“Mundohemi që për të gjitha pretendimet t’i sqarojmë, por nuk do të thotë që të gjitha kërkesat dhe pretendimet mund t’i përmbushim. Kosova është vendi më i varfër në rajon dhe në Europë dhe kërkesat që mund të duken të drejta, duhet të shihen se çfarë barre buxhetore bien. Por, në asnjë moment nuk ka tendenca që dikush të shfrytëzohet, por të gjithë ata të paguhen në bazë të punës dhe kontributit që japin, që dorën të zemër, është një kontribut i jashtëzakonshëm. E gjithë Policia ka qenë maksimalisht e mobilizuar që në plotni të realizojmë detyrat dhe obligimet që na janë dhënë dhe besoj që tashmë është e faktuar që këto detyra jemi duke i plotësuar në mënyrën më të mirë të mundshme”, ishte shprehur Sveçla në Komisionin për Siguri, deri sa po fliste për kërkesat e Policisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme