Lajme
Kurti s’tregon a do t’i zbatojë masat e reciprocitetit më 1 shtator, thotë se do të diskutojë me Vuçiqin
Demokracia
20:32 | 09 Gusht 2022

Share:

Qeveria e Kosovës, me kërkesë të partnerëve ndërkombëtarë, ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve për reciprocitet në dokumente dhe targa me Serbinë deri më 1 shtator, pasi zbatimi i vendimit iu pamundësua dy javë më parë nga serbët që u barrikaduan në pjesën veriore të vendit.

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën prestigjioze “La Republica”, i pyetur nëse do t’i ndryshojë masat, tha se për këtë çështje do të diskutojë me presidentin serb Aleksandër Vuçiq në takimin e 18 gushtit, shkruan Demokracia.com.

Kurti nuk e përmendi emrin e presidentit serb, por tha se kjo do të diskutohet në një takim me serbët në Bruksel.

“Në javën e tretë të gushtit do të ketë një takim në Bruksel mes nesh dhe serbëve për aspektet e përgjithshme të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, shpresoj se do të ndihmojë në uljen e tensionit”, tha Kurti për “La Repubblica”.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar ftesën e Bashkimit Evropian, që më 18 gusht të zhvillojnë rundin e ri të bisedimeve.

“Mund të konfirmoj se pasi përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, ftoi të dy palët në Bruksel, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq kanë pranuar ftesën e tij. Ata do të mirëpriten në Bruksel më 18 gusht nga Borrell dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak, për të diskutuar për rrugën përpara në dialogun Prishtinë-Beograd”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Kjo ftesë erdhi në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me dokumentet dhe targat serbe.

Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e këtyre dy vendimeve.

Në ftesën e Borrellit u tha se në takim do të bisedohej për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve. Takimi i 18 gushtit do të jetë i treti midis Kurtit dhe Vuçiqit. Ata në kuadër të dialogut janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar, por dy takimet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë ishte paraparë të mbahej më 19 korrik, por sipas kryeministrit Albin Kurti, takimi u shty me kërkesën e Vuçiqit. Dialogu në Bruksel ka nisur më 2011.

Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kosova insiston se një marrëveshje finale duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia argumenton se dëshiron një zgjidhje kompromisi. /Demokracia.com/

Të ngjashme