Lajme
Koha kur Kurti i përkrahte grevat në Kosovë e Shqipëri, qeveria e tij tash po i kërcënon grevistët
Demokracia
15:05 | 25 Gusht 2022

Share:

Qeveria e Kosovës ka kërcënuar me ndalesë të pagës dhe benificioneve të tjera të gjithë punonjësit e sektorit publik që i bashkohen grevës, e cila ka filluar sot.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, ka kërcënuar të gjithë punonjësit e sektorit publik të cilët iu kanë bashkuar grevës, e cila ka filluar qysh sot.

Por, kryeministri Albin Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë, përkatësisht në vitin 2019, nuk e kishte një mendim të tillë për grevat. Si opozitar, ai i përkrahte fuqishëm edhe protestat e sektorit publik dhe të mësimdhënësve.

Atë kohë, Kurti përveç se kishte përkrahur grevën e mësimdhënësve dhe i inkurajonte që ta vazhdonin, ai edhe jepte propozime.

“Mësimdhënësit ta vazhdojnë grevën me kusht që ta vendosin theksin te zvogëlimi i pagave të oborrit qeveritar, ndërsa prindërit ta vazhdojnë kundërshtimin me kusht që ta vendosin theksin te rritja e cilësisë në arsim”, kishte deklaruar Kurti në janar të vitit 2019, shkruan Demokracia.com.

Sikur të mos i mjaftonte përkrahja që ua kishte dhënë mësimdhënësve në Kosovë, Kurti në vitin 2019 kishte udhëtuar nga Kosova drejt Shqipërisë për të mbështetur edhe studentët e pedagogët që kishin nisur grevën atje. Ai kishte qëndruar pranë studentëve e pedagogëve në Fakultetin e Shkencave Sociale në Shqipëri dhe i kishte inkurajuar të vazhdonin qëndresën.

“Fitoret edhe në politikë edhe në shoqëri vijnë nga qëndresa. Është e vërtetë që në aspektin e angazhimit tim politik kam filluar me protesta studentore. Në vitet ’90 në Kosovë ndodheshim në okupimin e Serbisë, e cila kishte hequr nga puna të gjithë shqiptarët. Universiteti i Prishtinës zhvillonte mësimet në shtëpi private, por në 1997 filluam protestat. Studentët kanë të drejtë, pothuajse çdo herë dhe çdo kund, por edhe kur mësimdhënësit janë me ata kanë më shumë të drejtë”, kishte thënë Kurti në vitin 2019.

“Është në pikëpyetje ardhmëria e shoqërisë shqiptare. Ju bëj thirrje të keni organizim të konsoliduar. Organizimi ju fuqizon. Arsimi nuk është luks”, kishte deklaruar Kurti.

Sot në Kosovë ka filluar greva e përgjithshme në sektorin publik, por të gjithë grevistët po rrezikojnë të mbesin edhe rroga, pasi që Qeveria Kurti ka vendosur që grevistet të pezullohen nga puna dhe t’iu ndalohen benefitet tjera përgjatë kohës sa janë pjesë e grevës.

Ky veprim i Qeverisë Kurti u kritikua nga partitë opozitare, por edhe nga shoqëria civile. /Demokracia.com/

Të ngjashme