Lajme
Kurti sërish në Samitin e Londrës, këta janë emrat e pjesëmarrësve të tjerë
Demokracia
17:35 | 24 Shkurt 2022

Share:

Samiti i Investimeve në Ballkanin Perëndimor i organizuar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pritet që më 28 shkurt të presë në Londër liderët e gjashtë shteteve të këtij rajoni.

Siç është bërë e ditur në faqen zyrtare të BERZH-it, kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë do të jenë pjesëmarrës në këtë samit, përcjell Demokracia.com.

Po ashtu, është konfirmuar se Kosova në Londër do të përfaqësohet nga Albin Kurti.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, do të marrin pjesë po ashtu në samit.

Të gjithë këta do të priten nga presidenti i BERZH-it, Odile Renaud-Basso, derisa do të ketë fjalim edhe nga Komisioni për Zgjerim, Oliver Varhelyi, përcjell Demokracia.com.

Faqja zyrtare e BERZH-it bën të ditur se samite mund të ndiqet live dhe do të ketë përkthim në gjuhët e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është hera e pesë që mbahet ky samit, derisa sa i përket Kosovës, kryeministri Kurti është pjesëmarrës për herë të dytë, përcjell Demokracia.com.

Gjatë vitit 2020, ndonëse qëndroi në pushtet pak muaj, Kurti e kishte takuar në këtë samit edhe homologen e tij serbe, Ana Bërnabiq.

Të dy ishin të ulur afër njëri-tjetrit, deri sa kamerat kishin kapur një moment ku po shkëmbenin buzëqeshje mes vete.

Kjo buzëqeshje e famshme kishte shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, ku Kurti kritikohej shumë pikërisht për shkak të akuzave që ua bënte paraardhësve të tij në pushtet për takimet me liderët serbë./Demokracia.com/

Të ngjashme