Lajme
Kurti reagon tri orë pas njoftimit për marrëveshjen me Serbinë
Demokracia
20:44 | 27 Gusht 2022

Share:

Rreth tre orë pas njoftimit për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet, kryeministri Albin Kurti ka bërë një reagim.

Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti ka falënderuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, si dhe të dërguarin e posaçëm amerikan, Gabriel Escobar.

Në veçanti, Kurti e ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovës, Jeff Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar Kurti.

Ai shtoi se fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti.

“Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.

Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”, tha mes tjerash Kurti.

Të ngjashme