Lajme
Kurti promovon lojëra të dhunshme, psikologët e sociologët i shohin si rrezik për fëmijët
Demokracia
19:14 | 14 Maj 2022
Ilustrim

Share:

Lojërat konsiderohen si pjesë e rëndësishme e zhvillimit të fëmijëve, sidomos zhvillimit psiko – motorik, por varësisht nga mosha e tyre duhet përshtatur edhe lojërat. Kështu vlerëson sociologu Ferdi Kamberi për Demokracia.com.

Psikologët dhe sociologët vlerësojnë se lojërat me përmbajtje të dhunshme, ku përdorën armët, mund të prodhojnë efekte dhe pasoja tek fëmijët.

“Lojërat e dhunshme mund të prodhojnë efekte dhe pasoja për fëmijët, duke i bërë ata/ato të varur dhe agresiv. Shembull për këtë kemi me dhjetëra raste kur fëmijët luajnë lojëra të dhunshme si Counter Strike ose Delta Force apo lojëra tjera dhe në momentin kur tentojmë si prindër t’ua marrim/ndalojmë apo tua tërheqim vëmendjen që mos të luajnë me ato, atëherë kemi reagime të pa kontrolluara nga fëmijët, sjellje agresive, çrregullime bipolare dhe shumë probleme të tjera”, thotë Kamberi për Demokracia.com.

Sipas sociologut Ferdi Kamberi, fëmijët të cilët kalojnë shumë kohë me lojërat e ndryshme, sidomos ato të dhunshme, ato prodhojnë efekte dhe pasoja tek ta, si fizike, ashtu edhe psikologjike e sociale.

“Në aspektin fizik lojërat e tilla dhe kalimi i pjesës më të madhe të kohës me to, mund të ndikojë në mbipeshë ose obezitet, mungesë të oreksit, probleme me miopinë (shikimin). Në aspektin psikologjik, ato mund të shndërrohen në një obsesion dhe varësi dhe kjo pastaj mund të ketë edhe ndikime të tjera. Përderisa në aspektin social, kalimi i një pjese të madhe të kohës me lojërat e tilla, por edhe me lojërat e dhunshme, mund të dërgojë në aftësi të dobëta sociale, dobësim të raporteve me familjen dhe raporteve shoqërore, mund të ndikojë në performancën e shkollës dhe hobive ose aktiviteteve të tjera, nota më të ulëta, lexim më pak, më pak stërvitje dhe mendime e sjellje agresive”, shton ai.

Ekspertët e fushës, Kamberi thotë se sugjerojnë që prindërit “të inkurajojnë fëmijët që të luajnë video lojëra edukative e jo argëtuese ose të dhunshme, të kenë ndërveprime me fëmijët gjatë lojës, duke analizuar karaktere të lojës, identifikimi i lojërave me përmbajtje edukative”.

Ndërsa, Dorentina Podrimqaku, psikologe e njohur, për Demokracia.com tregon se studimet e ndryshme me fëmijë që u janë ekspozuar përmbajtjeve të dhunshme mediale, tregojnë se ky ekspozim mund t’i nxisë fëmijët ta imitojnë dhunën dhe të shfaqin sjellje më agresive.

“Ky ndikim del të jetë më prezent tek fëmijët më të vegjël të cilët mund të kenë probleme emocionale, sjellore apo probleme të të mësuarit. Por, gjithmonë duhet ta kemi parasysh faktin që shumica e lojërave kanë edhe potencial të promovojnë të mësuarit, vetë-rregullimin emocional, si dhe të ndihmojnë në zhvillimin e shkathtësive motorike fine”, thotë Podrimqaku për Demokracia.com.

Edhe Podrimqaku vlerëson se me konsumimin e madh të këtyre lojërave, fëmijët do të kenë më pak kohë dhe hapësirë që të socializohen në masat e nevojshme për zhvillimin e duhur të tyre, më pak kohë t’i përkushtohen pasioneve të tyre, më pak kohë duke fjetur dhe gjumin do ta kenë me një kualitet më të ulët, si dhe do të shfaqin sjellje dhe mendime agresive.

Por, ndalimi i lojërave, sipas Podrimqakut, është një nga temat më të diskutueshme në ditët e sotme.

“Studimet sugjerojnë fuqishëm se ekspozimi ndaj video lojërave të dhunshme është faktor rreziku, shkaktar për rritjen e sjelljeve agresive dhe përulje e ndjeshmërisë dhe sjelljes prosociale. Një faktor tjetër i rëndësishëm që duhet marrë parasysh është tjetërsimi i njeriut nga realiteti. Për ata njerëz që janë konsumatorë të gjatë të lojërave të dhunshme është mjaft e vështirë të dallojnë jetën virtuale nga realiteti”, shton ajo për Demokracia.com.

Podrimqaku tregon se studimet mbështesin fuqimisht idenë se lojërat e dhunshme duhet të ndalohen.

“Gjyqtari i Gjykatës së Lartë të SHBA-së, Stephen Brayer, shprehet se ‘sa më afër sjelljes së një fëmije jo shikimit, por ushtrimit të dhunës, aq më i madh është dëmi potencial psikologjik’.  Këto lloj lojërash kanë pasoja negative për shëndetin. Përveç faktit që niveli i inteligjencës është i kufizuar, ai gjithashtu është në rënie dhe shkakton marrëdhënie të tensionuara brenda shoqërisë”, thotë Podrimqaku për Demokracia.com.

Lojërat e dhunshme me përdorimin e armëve, javët e fundit kanë qenë lajm nëpër mediat e Kosovës, pasi ekipi nga Kosova “Bad News Eagles” u kualifikua për në finale. Promovues i tyre së fundmi ishte edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në vende të ndryshme të botës janë zhvilluar edhe vrasje masive, duke xhiruar veten në formë të lojës “Counter-Strike”. E tillë ishte edhe videoja e vrasësit Brenton Tarrant, 28 vjeçar nga qyteti Grafton në New South Wales të Australisë, i cili në vitin 2019 kishte shfaqur në internet në “Livestream” momentin e sulmit mbi besimtarët myslimanë në Christchurch të Zelandës së Re, ku të paktën 49 persona humbën jetën dhe 48 mbetën të plagosur në sulme terroriste të dy xhamive të mbushura me besimtarë në lutjet e së premtes. Videoja ishte xhiruar nga vetë ai dhe nga sa ishte transmetuar “Live”, ajo dukej si një skenë e tmerrshme loje “Counter-Strike”, veçse fatkeqësisht gjithçka ishte reale. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme