Lajme
Kurti: Po përgatitemi për të aplikuar për anëtarësim në NATO dhe BE
Demokracia
12:18 | 29 Maj 2022

Share:

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e 47-të të Këshillit të Përgjithshëm. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministri Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të Këshillit, Kurti ka shtuar se tash imazhi i Kosovës ka një përmbajtje më të re si në kuptimin politik ashtu edhe ekonomik.

Ai ka përmendur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, duke thënë se janë duke i bërë përgatitjet për aplikim edhe në NATO dhe BE.

“Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në KiE është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparoj më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, ka thënë Kurti.

Ai u shpreh se një vit qeverisje ka qenë mjaft sfidues, duke përmendur pandeminë, krizën energjetike, agresionin rus në Ukrainë e shumë çështje tjera.

Kurti ka shtuar se gjatë këtij viti krahas sfidave kanë shënuar progres edhe në disa fusha.

“Kemi shënuar rritje ekonomike, kemi bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sistemit të drejtësisë, kemi luftuar krimin e korrupsionin, kemi avancuar aleancat dhe kemi forcuar raportet me shtet mike. Kosova është bërë fanar i demokracisë në rajon”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për vizitën e tij zyrtare dy javore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri ka shtuar se gjatë kësaj vizite ka takuar 7 senatorë dhe 12 kongresistë, dhe 7 zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane, shkruan Telegrafi.

Kjo mbledhje u drejtua nga Hydajet Hyseni–Kaloshi.

Hyseni në fillim të kësaj mbledhje ka kërkuar nga të gjithë delegatët që të mbajnë një minutë heshtje në nderim të ish-presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani i cili ka ndërruar jetë dje.

Të ngjashme