Lajme
Kurti po e mbron “Zajednicën” e tij, dikur thoshte se vetëm nga pozita e serbofilit ose të shantazhuarit mbrohet “Zajednica”
Demokracia
11:06 | 15 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti mbrëmë në intervistë për “ATV”-në foli për draft-statutin e Asociacionit apo “Zajednicës”, siç e quante dikur.

“Zajednicën” që dikur e kundërshtonte edhe me metoda antidemokratike, Kurti tash si kryeministër po e mbron, shkruan Demokracia.com.

Ai tha se ky draft-statut i Asociacionit që e ka pranuar është më i mirë se i vitit 2013 apo 2015, ndonëse në 2013 dhe 2015 nuk kishte asnjë draft-statut për Asociacionin.

“Më datën 21 tetor erdhi pesëshja e emisarëve, e cila erdhi për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe aty më 24 tetor, unë ua dërgova vërejtjet për atë draft-statut. Është e qartë se ai draft-statut është pakrahasimisht më i avancuar se siç kanë qenë në 2013 e 2015. Këtu janë çështjet e përmbajtjes, por unë do të thosha që kryesorja është se ky draft-statut fillon me atë se në çfarë shteti ndodh kjo gjë. Pra, së pari kemi një pranim të thelbit dhe të kornizës e që është shteti demokratik, Republika e Pavarur e Kosovës dhe në anën tjetër, megjithatë unë kam dërguar vërejtjet, komentet, kritikat e mia për këtë draft më datën 24 tetor, meqenëse natyrisht nuk është një draft, i cili do të shkruhej prej meje saktësisht asisoj”, tha mbrëmë Kurti.

Por, çka thoshte Kurti në vitin 2015, kur e kundërshtonte formimin e Asociacionit?

Më 2015, si opozitar, Albin Kurti ishte shprehur kategorikisht kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kundërshtimin e marrëveshjes nuk e kishte ndalur as nga brenda qelisë së burgut të Dyzit.

Nga atje, një ditë pas arrestimit më 29 nëntor të 2015-s, ai u kishte dërguar mediave një letër ku shprehej kundër themelimit të Asociacionit lidhur me Marrëveshjen e Parimeve, dokument ky i nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, si rrjedhojë e bisedimeve Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Brukselit.

Nga qelia e paraburgimit, Albin Kurti i Vetëvendosjes kishte bërë publike një letër me titullin “O Republikë, o Zajednicë”.

“Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë, edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit”, shkruante Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme