Lajme
Asociacioni është “zgjidhja” e strukturave paralele serbe, thotë BE-ja për “brengën e gjithëdijshme” të Bislimit
Demokracia
19:36 | 30 Prill 2024

Share:

Bashkimi Evropian ka bërë me dije se çështja e institucioneve të mbështetura nga Serbia është e paraparë të zgjidhet përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sqarimi i bllokut vjen pas “brengës” së shprehur nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me homologun e tij serb, Petar Petkoviq, të martën në Bruksel, ku u diskutua mbi planet e zbatueshmërisë së vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës [lexo; Qeverisë së Kosovës] për të ndaluar dinarin në operacionet me para të gatshme.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog të Kosovës, Besnik Bislimi, doli i “brengosur” të martën për një çështje të gjithdijshme, duke thënë se Serbia e sheh Asociacionin si “mekanizëm për legjitimimin e prezencës së strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë.”

Në kontekst të shqetësimit të paraqitur, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë ka sqaruar se institucionet e mbështetura nga Serbia pritet të zgjidhen përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

BE-ja bëri me dije më tej se marrëveshjet e kaluara mes Kosovës dhe Serbisë janë në harmoni të vetëm një strukture institucionale dhe në përputhje me kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës.

“Të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut janë plotësisht të harmonizuara me parimin e një strukturës të vetme institucionale dhe administrative, dhe ato ndjekin kornizën ligjore dhe institucionale të Kosovës, siç konfirmohet nga konkluzionet e Këshillit Evropian”, tha Stano.

Blloku përsëriti thirrjen që Kosova të ndërmarrë hapa para dhe pa vonesë me draft-statutin e Asociacionit të propozuar vitin e kaluar.

Të martën, zëvendëskryeministri Bislimi tha gjithashtu se brenga e vetme e Serbisë rreth çështjes së dinarit mbetet “licenimi i institucione paralele të Serbisë në Kosovë”.

“Unë mendoj që është një përpjekje e mirë e z. Lajçak që të gjejë një zgjidhje. Edhe z. Lajçak njësoj si pala kosovare brengën kryesore e ka se si individët të cilët janë prekur nga vendimi i BQK-së apo rregullorja e BQK-së, të mund të vazhdojnë të marrin mbështetjen financiare përderisa Serbia edhe sot gjithë brengën e saj e ka patur se si duhet të licensohen institucione paralele të Serbisë në Kosovë”, tha Bislimi.

Kujtojmë se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit në operacionet me para në dorë, u pasua me një reagimi të ashpër ndërkombëtar ndaj qeverisë në vazhdën e thirrjeve për një tranzicion më të ngadalshëm në kontekstin e nevojës për të shmangur pasojat potencialisht problematike për komunitetin serb.

Të ngjashme