Lajme
Kurti para zyrtarëve amerikanë lavdëron qeverisjen e tij, bëhet edhe analist i luftës në Ukrainë
Demokracia
19:54 | 25 Prill 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar për medie pas takimit me Ndihmës Sekretaren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Në konferencën e mbajtur për medie pas këtij takimi, Kurti para zyrtarëve amerikanë lavdëroi punën e tij, raporton Demokracia.com.

Kurti fjalimin e tij e pati të ngjashëm me atë të presidentes Vjosa Osmani, për sa i përket luftës në Ukrainë, veçse këtu, Kurti u tregua më analist.

Po ashtu, Kurti theksoi se Kosova do të mbetet gjithnjë një partner dhe aleat i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përderisa theksoi edhe nevojën e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Demokracia.com, ju sjell fjalimin e tij të plotë:

Edhe sot folëm për sukseset e Kosovës dhe rolin dhe kontributin e madh që SHBA vazhdon ta japë në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë. Biseduam për arritjet e qeverisë sonë gjatë vitit të parë, dhe rëndësinë e bashkëpunimit më të thellë ndërmjet dy vendeve tona sidomos në fushën e mbrojtjes dhe të ekonomisë. Vitin e kaluar Kosova ka marrë pjesë në mesin e 16 vendeve mikpritëse dhe gjithsej të 27 vendeve pjesëmarrëse në ushtrimin e madh ushtarak “Defender Europe 2021”. Po ashtu vitin e kaluar e realizuam edhe misionin e parë paqeruajtës përkrah ushtrisë amerikane në Kuvajt. Dhe deri më tani ne kemi strehuar 1471 refugjatë afganë. Këto janë dëshmi të forta të kapaciteteve të Kosovës dhe të kontributit tonë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës në sigurinë rajonale, evropiane dhe globale. Dje u bënë 2 muaj që kur nisi invazioni dhe agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Federatës Ruse ndaj Ukrainës. Kjo luftë që shumë liderë vendesh nuk e prisnin të ndodhnin, po zgjatë shumë më gjatë se që agresori e priste të ndodhte. Por derisa e mbështesim dhe e shohim me admirim rezistencën e popullit ukrainas, ne duhet të mbetemi të vëmendshëm për rreziqet që mund të nxis dëshpërimi i Kremlinit despotik. Reagimi dhe rreshtimi i Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar ka qenë i menjëhershëm. Një rreshtim i tillë është vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë humanitare dhe demokratike, orientim perëndimor dhe aleancë euro-atlantike. Përpos sanksioneve që i kemi vendosur Federatës Ruse, kemi treguar solidarizim me popullin dhe shtetin e Ukrainës. Kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 5 mijë refugjatë nga Ukraina dhe tashmë kemi mirëpritur gazetaren e parë ukrainase, e do të mirëpresim edhe të tjerë. Por jo të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë vepruar njësoj. Është për të ardhur keq që kemi refuzimin e Serbisë për të sanksionuar Rusinë dhe për t’u distancuar nga ajo. Mund të ketë qenë një qëndrim i pritshëm por assesi nuk duhet të jetë i mirëkuptueshëm. Një refuzim i tillë tregon për bindjen tonë vlerë, orientim dhe aleancë. Vlerë anti-demokratike, orientim jo-perëndimor edhe aleancë autokratësh. Andaj që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, siguria rajonale dhe jo vetëm, është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO i shteteve të cilat janë demokratike dhe i kanë vendosur sanksione Federatës Rusë. Ndërkohë Republika e Kosovës duhet të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe të bëhemi pjesë e programit të partneritetit për paqe të NATO-s dhe për këtë edhe po përgatitemi, por natyrisht edhe kërkojmë edhe ndihmën e miqve e partnerëve tanë. Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah botës së bashkuar demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe të paqes në Evropë e në rajon. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova do të mbetet mik, aleat dhe partner i besueshëm. Një i tillë që nuk pyet pse, por si, jo sa, por kur. / Demokracia.com/

Të ngjashme