Lajme
Kurti nis vënien në jetë të idesë për shuarjen e AKP-së
Demokracia
18:15 | 25 Mars 2021

Share:

Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti gjatë së enjtes është raportuar në medie se ka iu dërguar një kërkesë bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), që të pezullojnë vendimmarrjet që kanë të bëjë me privatizimin.

Albin Kurti ka kërkuar nga AKP-ja, që t’i pezullojnë të gjitha vendimet që kanë të bjëjnë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me të ardhmen e ndërmarrjeve shoqërore, siç janë edhe qiradhëniet apo shitjet pa tender publik, shkruan Demokracia.com.

Ndryshime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), janë kërkuar edhe gjatë vitit 2020, gjatë kohës kur Albin Kurti ishte në qeverisje. Ndërsa që këto ndryshime do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj qeverisjeje, ka treguar Kurti edhe më 23 shkurt, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Në programin tonë qeverisës kishim paraparë edhe ndryshimin rrënjësor të statusit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP). Synonim rishikimin e gjithë procesit të privatizimit e që nënkuptonte një trajtim ndryshe si të pronës publike ashtu edhe të asaj shtetërore. Qeveria jonë në dy mbledhje të saj, me 10 mars dhe me 23 mars 2020, kishte nxjerrë dy vendime përmes të cilave kërkonte nga AKP-ja të pezullojë fillimisht të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme nga lista e aseteve për qiradhënie, dhe, pastaj, të pezullojë në afat të pacaktuar të gjitha veprimet në lidhje me pronat e paluajtshme që i ka nën administrim. Këto vendime ishin shfuqizuar nga qeveria e cila u instalua pas nesh, por megjithatë kishte vazhduar kërkesa ndaj AKP-së që të mos shpallë asnjë valë të re të privatizimit. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës kishte krijuar një komision hetimor parlamentar për të hetuar keqpërdorimet eventuale në procesin e privatizimit”, shkruan Kurti.

Kurti, më tej ka shkruar se është informuar që bordi i AKP-së, krejtësisht paligjshëm po synon keqpërdorimin e vakuumit institucional duke tentuar të fillojë valë të reja të likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë nxjerrë gjatë marsit të vitit 2020, kur Kurti ishte në krye të ekzekutivit.

“Thirrjet e bordit në gjoja pavarësinë e institucionit dhe në nevojën që paska vendi për privatizim më të shpejtë në mënyrë që të gjenerohen të hyra shtesë për buxhetin e shtetit, janë konfirmim i mëtejmë i brengës sonë për keqpërdorime në këtë institucion. E shoh shumë të rëndësishme që publikisht t’i drejtohem bordit të AKP-së me kërkesë që të mos sfidojë mekanizmat institucional dhe të mos provojë të hapë valë të reja të privatizimit apo likuidimit në kundërshtim me vendimet që janë në fuqi. Ju bëj me dije se një nga shtyllat kryesore të programit të qeverisë sonë vazhdon të mbetet lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rrjedhimisht, brenda kësaj kornize do të trajtohet edhe sfidimi eventual i bordit të AKP-së në raport me qeverinë dhe kuvendin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021”, ka shkruar Kurti më 23 shkurt.

Por çfarë është AKP-ja dhe a mundet Qeveria të ndërhyjë në vendimet e saj?

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), është organ i pavarur publik, e cila ka të drejta të plota juridike, posaçërisht për të bërë kontrata, për të marrë, mbajtur ose shitur pronën, si dhe ka të gjitha kompetencat e vetëkuptueshme për përmbushjen në tërësi të detyrave dhe kompetencave të dhëna me ligjin e AKP-së.

“Agjencia Kosovare e Privatizimit  themelohet si një organ i pavarur publik i cili i ushtron funksionet dhe përgjegjësitë në mënyrë plotësisht të pavarur. Agjencia ka zotësi të plotë juridike, posaçërisht për të bërë kontrata, për të marrë, mbajtur ose shitur pronën, si dhe ka të gjitha kompetencat e vetëkuptueshme për përmbushjen në tërësi të detyrave dhe kompetencave të dhëna me këtë ligj; si dhe të padisë e të paditet në emër të saj. Agjencia themelohet si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit të rregulluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut 2002/12 mbi ‘’Themelimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit”, me ndryshime, dhe të gjitha asetet dhe përgjegjësitë e saj do të jenë asete dhe përgjegjësi të Agjencisë”, thuhet në Ligjin e AKP-së.

Në Ligjin e AKP-së, tregohet se Qeveria e Kosovës mund vetëm t’i propozojë Kuvendit, Drejtorët e Bordit të AKP-së, e më pas Kuvendi t’i emërojë ata.

“Kuvendi i Kosovës me propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, emëron Drejtorët e Bordit, duke përfshirë një përfaqësues nga komunitetet jo shumicë si dhe një përfaqësues nga konfederata sindikale e punëtorëve. Kuvendi i Kosovës, me propozim të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nga radhët e anëtarëve të Bordit cakton Kryesuesin e Bordit”, thuhet në ligjin e AKP-së.

Ndërsa edhe sa i përket vendimeve për transfere pronësore, të pronës së shpronësuar në emër të Qeverisë së Kosovës, ky vendim merret përsëri nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së.

“Vendimi për transferin pronësor të pronës së shpronësuar në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës merret nga Bordi i Drejtorëve të Agjencisë, pasi të plotësohen obligimet financiare të Qeverisë të përcaktuara sipas nënparagrafit 1.1. të këtij neni.

1.1. Njëzet për qind (20%) e vlerës së pronës së shpronësuar, për të kompensuar punëtorët e kualifikuar të Ndërmarrjeve Shoqërore në pajtim me nenin 10 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 mbi transformimin e së drejtës për përdorimin e pronës së patundshme në pronësi shoqërore, të ndryshuar me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2004/45”, thuhet në ligj./Demokracia.com/

Të ngjashme