Lajme
Kurti në takim me kancelarin austriak, pak flet për vizat e shumë lavdëron qeverisjen e tij
Demokracia
16:43 | 18 Mars 2022
Foto / EO

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim kancelarin austriak, Karl Nehammer, para të cilit ka lavdëruar mjaft shumë qeverisjen e tij, derisa për lehtësimin e udhëtimit të kosovarëve dhe anëtarësimin në BE, foli shumë pak.

Kurti në një konferencë para gazetarëve ka thënë se me kancelarin Nehammer ka biseduar për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, derisa i ka kërkuar që ta shtyjë përpara çështjen e heqjes së vizave, raporton Demokracia.com.

“Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përshpejtimin e agjendës drejt anëtarësimit në BE. Nga kancelari kërkova që të shtyjë përpara rëndësinë e liberalizimit të vizave, sepse ky vendim i vonuar po dëmton qytetarët, bizneset dhe ekonominë”, ka thënë ai.

Në pjesën më të madhe të prononcimit të tij para gazetarëve, Kurti ka treguar se si para kancelarit austriak, i cili viziton për herë të parë Kosovën, ka lavdëruar qeverisjen e tij, raporton Demokracia.com.

“E njoftova kancelarin për ndikimet pozitive që reformat kanë pasur dhe po vazhdojnë të kenë në përformancën e qeverisë sonë. Është evidente që stabiliteti institucional e politik, besueshmëria e qytetarëve dhe qeverisja e mirë e demokratike, kanë prodhuar rezultate të mira dhe klimë të favorshme për investime. Në vitin 2021, kemi rritje prej 17.8 për qind të investimeve të huaja nga Austria në krahasim me vitin 2019”, ka thënë Kurti.

Ndërkohë, kancelari austriak para mediave ka thënë se pret që të bashkëpunojë me Kosovën edhe në të ardhmen, derisa i ka bërë Kurtit një ftesë që ta vizitojë Austrinë.

Nehammer sot pritet që të takohet edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Para Kosovës, ai ka vizituar edhe Beogradin e Sarajevën, udhëtim ky që ka ndodhur pikërisht në kohën e nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia./Demokracia.com/

 

Të ngjashme